Ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi ka komentuar edhe deklaratën e bërë së fundmi nga presidenti Ilir Meta, i cili i ka shpallur “luftë” Gjykatës Kushtetuese, mazhorancës qeverisëse dhe kryedemokratit Lulzim Basha.
Në reagimin e tij për gazetën “SOT”, zoti Klosi theksoi se presidenti Meta ndodhet në momente të vështira dhe se sipas tij, është normale që ai të mbrohet, duke përdorur si armë presion dhe sulmet politike.
“Deklarata e forta dhe kërcënimet e lëshuara ditët e fundit nga presidenti Ilir Meta tregojnë qartë se Ilir ndodhet në një moment të vështirë. Është fare normale të shikosh një politikan që bën presione dhe paralajmërime, në një kohë që ndodhet në një moment kritik, pasi dihet që çdo gjë e bën për t’u mbrojtur dhe t’ia hedhur paq.
Ilir Meta përmes aksionit të nisur dhe deklaratave të forta që lëshon, kërkon të dërgojë mesazhe, duke thënë se shikoni unë s’kam frikë nga shkarkimi dhe askush. Meta po bën politikën e tij dhe thotë që unë s’dua t’ia di për Gjykatën Kushtetuese, pra në njëfarë mënyrë po bën presione që të frikësojë kundërshtarët, kaq e thjeshtë është kjo punë”, nënvizoi Klosi për gazetën “SOT”.