Sali Berisha dje ka zhvilluar një takim në Shkodër në kuadër të luftës brenda Partisë Demokratike. Përveç sulmeve dhe akuzave ajo që ka hasur vëmendje ditën e djeshme është se po në Shkodër në të njëjtën kohë, ka zhvilluar një vizitë edhe presidenti Ilir Meta.
Presidenti njoftoi se mori pjesë në homazhet për ish-futbollistin e Kombëtares Shqiptare, Ramadan Rragami ndërkohë që në të njëjtën aktivitet është parë edhe ish-kryeministri.
Pyetja që shtrohet është se a ka pasur një takim mes ish-kryeministrit dhe presidentit në Shkodër? Dyshimet janë që po. Por vizita e Metës në Shkodër është dhe një sinjal se Pallati i Sportit ku Berisha mbajti aktivitetin është mbushur dhe me simpatizantë të LSI.
Meta e Berisha janë bashkë tashmë dhe duket se kanë nisur në rrethe aksionin tyre antiamerikan. Ish-kryeministri nuk ka dhe aq shumë mbështetës dhe sinjalet u dhanë dje se Meta është vënë në lëvizje për të mbushur karriget.
Berisha sinjale të tjera për dhunë
Nga ana tjetër ish-kryeministri gjatë takimit në Shkodër u shpreh se revolucioni është paqësor dhe në 8 janar demokratët donin të nxirrnin banditët nga shtëpia e tyre. Ish-kryeministri u shpreh se 8 janari është vetëm fillimi, duke dhënë kështu sinjale të tjera për dhunë.
Sipas tij, ata që mbështesin Bashën do të dështojnë. “Thirrja për partnerët ndërkombëtarë, ky është revolucion paqësor, por i pandalshëm. Demokratët më 8 janar nuk kërkonin gjë tjetër, por atë që do të bënte një polici e çdo shteti të lirë, të nxirrnin banditët nga shtëpia e tij . Kush është ai që e sheh shtëpinë e tij me bandit dhe nuk “lufton” t’i nxjerri? 8 janari është vetëm fillimi, ju jap fjalën.
Ata që mbështesin Bashën për të marrë peng pluralizmin do të dështojnë. Hiqni dorë prej Lulzim bravës, është turpi i dheut dhe turpi i historisë. Ndahuni nga Lulzim Basha sepse atë e pret vrima e miut nga ky revolucion. Ata që mbështesin Bashën për kryetar opozitë ata tallen”, tha ai.
Ish-kryeministri vijon sulmet ndaj Bashës
Ndërkohë ish-lideri i PD ka vijuar me sulmet ndaj kryeministrit Edi Rama dhe kreut demokrat Lulzim Basha. Ai u shpreh se kryeministri rrethoi selinë e PD dhe sulmoi demokratët për t’i ardhur në ndihmë Bashës. Sipas tij, demokratët duhet të heqin dorë nga mbështetja për Bashën teksa e konsideroi turp. “Ky kryeministër mori peng njeriun që mbështetëm me të gjithë zemër dhe energjinë, Lulzim Bravën.
Po çfarë mund të bëjë më shumë një narko-kryeministër sesa të rrethojë me policë selinë e PD dhe të sulmojë demokratët. Të pajisë bandën e tij me të gjitha mjetet e policisë dhe t’iu vërsulën demokratëve mercenarët se duan të hyjnë në shtëpinë e tyre.
Nuk ka situatë të tillë në asnjë vend. A mundet një shtet të servirë për opozitë njeriun që e rrethon me policë dhe kriminelë, njeriun që i mbyll dosje krimi. Ju bëj thirrje demokratëve që kanë mbështetjen më të vogël për Lulzim Bashën të heqin dorë prej tij, është turp”, tha ai./Aleksandra Hoxhaj