Reforma në drejtësi në Shqipëri prej disa vitesh po prodhon debate të forta, në fillim me hartimin dhe me pas me zbatimin. Sot bashkëhartues dhe miratues të saj si dhe ekspertë të sistemit të drejtësisë kanë këndvështrime të ndryshme për mënyrën e zbatimit. Opozita dhe Presidenti mendojnë se reforma është deformuar në zbatim dhe nuk i përmbahet tekstit Kushtetues të miratuar me unanimitet, dhe se po shkon drejt kapjes politike të sistemit.
Eksponentë të PS në qeveri, si dhe ekspertë pjesëmarrës në hartimin e reformës sjellin argumente të kundërta. Vështirësitë në zbatim kanë sjellë mosfunksionimin e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë. “Zëri i Amerikës” ka bërë një speciale me disa prej protagonistëve, të cilët ndajnë opinionet e tyre për reformën. “Kjo është një periudhë e vështirë tranzicioni, edhe sikur idealisht kjo periudhë tranzicioni të shkonte sipas mënyrës që u ideua, aq komplekse sa ishte, do kishte vështirësitë e veta teknike”, tha Fatmir Xhafaj, kryetar i komisionit të reformës në drejtësi. Ndërsa presidenti meta këmbëngul te mungesa e Kushtetueses. “Nuk do të them, a është sukses apo është dështim, por mund t’ju them se nëse do të ishte vërtet një sukses, Shqipëria asnjë sekondë nuk do të ishte pa Gjykatë Kushtetuese”. Por opozita është më kritike në këtë aspekt. “Shqiptarët kishin nevojë për reformën në drejtësi, si ujët e pakët. Por mënyra se si bëhet reforma në drejtësi është thelbësore. Ne kemi një sistem që është rrënuar tashmë, dhe ndërkohë nuk është ngritur ende i riu”, tha Oerd Bylykbashi. Ndërsa kreu i shkollës së Magjistraturës Sokol Sadushi, tha se nëse do ishin zbatuar afatet situata do ishte ndryshe. “Nëse do të shohim Kushtetutën në dispozitat tranzitore, aty janë vënë ca afate. Nëse do të ishin respektuar me atë konsensus që u miratua kushtetuta, sigurisht që ne nuk do ishim në këtë gjendje, ku ka problematikë përsa i përket funksionimit të organeve”, pohon Sokol Sadushi, drejtor i shkollës së Magjistraturës. Ndarja mes palëve nisi menjëherë pas miratimit me konsensus të reformës. Në gusht 2016, nuk u arritën afatet e miratimit të 7 ligjeve të emergjencës siç u quajtën ato për ngritjen e organeve qeverisëse të sistemit, përfshi dhe Vetingun rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve.