Ilir Meta ditët e fundit ka shtuar dozën e sulmeve, akuzave dhe kërcënimeve në adresë të qeverisë, ndërsa në shumë deklarata iu ka bërë thirrje qytetarëve që ka ardhur koha që të ngrihen dhe marrin në dorë fatet e vendit.
Por një përgjigje për këto deklarata ka ardhur edhe nga deputetët e Partisë Socialiste. Fillimisht ka qenë deputeti i PS, Bujar Çela, i cili gjatë një prononcimi për gazetën “SOT”, shprehu dje bindjen se presidenti Meta bën thirrje për kaos ngaqë është i tmerruar nga SPAK dhe shkrirja e Lëvizjes Socialiste për Integrim.
Madje deputeti Çela theksoi se pavarësisht kërcënimeve të Metës, sipas tij, asnjë qytetar nuk e dëgjon dhe i shkon pas kreut të shtetit. “Ilir Meta si gjithmonë dhe këtë radhë vazhdon garën me idhullin e tij, babain shpirtëror shokun Sali Berisha. Meta dhe Berisha janë në garë me njëri-tjetrin se kush t’i kalojë njëri-tjetrit me deklarata të çmendura skizofrene, të tipit përmbysje të qeverisë apo merrni në dorë fatet e vendit dhe duam kaos.
Meta me gjithë deklaratat që bën të jeni të bindur që nuk të bën asgjë dhe se askush nuk e dëgjon atë. Kreu i shtetit ka shtuar dozën e reagimeve dhe kërcënimeve, pasi është i tmerruar nga reforma në drejtësi dhe SPAK, si dhe për faktin se po shikon që LSI çdo ditë po tkurret dhe se pas 25 prillit ajo do të shkrihet. Por ne si shumicë bëmë gabim që nuk e shkarkuam Metën dhe tani ai ka marrë zemër”, deklaroi deputeti i PS, Bujar Çela.
Askush nuk i shkon më pas
Por në të njëjtën linjë me deputetin socialist, Bujar Çela ditën e djeshme është rreshtuar edhe ligjvënësi tjetër i Partisë Socialiste, Andrea Marto. Ky i fundit gjatë një prononcimi për gazetën “SOT”, u shpreh dje se presidenti Ilir Meta prej kohësh i ka mbajtur iso opozitës joparlamentare, ndërsa theksoi se thirrjet e tij tashmë kanë rënë në vesh të shurdhët, pasi askush nuk e ndjek atë.
Sipas tij, presidentit Meta nuk i takon që të bëjë politikë pasi Shqipëria është Republikë Parlamentare dhe jo Presidenciale. “Në një Republikë Parlamentare nuk është e udhës që Presidenti i Republikës të luajë rolin e opozitës.
Prej shumë kohësh Presidenti Ilir Meta ka mbajtur qëndrime që nuk kanë lidhje me rolin e tij, por fatmirësisht nga opinioni i gjerë, thirrjet dhe deklaratat e tij nuk merren seriozisht”, deklaroi deputeti i PS, Andrea Marto.
Malo: Meta i frikësuar nga reforma në drejtësi
Ndërsa nga ana tjetër deputetja e Partisë Socialiste, Artemis Malo gjatë një prononcimi për gazetën “SOT”, deklaroi dje se thirrjet e presidentit Ilir Meta për rrëzimin e qeverisë dhe kaos, vijnë në një kohë, pasi ai ka frikë nga reforma në drejtësi dhe shkrirja e Lëvizjes Socialiste për Integrim.
“Presidenti Ilir Meta ka kohë që ka marrë flamurin e opozitës dhe është zhveshur nga kostumi i kreut të shtetit. Thirrjet e presidentit Meta për kaos dhe rrëzimin e qeverisë janë thirrje dëshpëruese që vijnë në një kohë kur reforma në drejtësi po avancon dhe SPAK dhe BKH janë bërë realitet.
Por më shumë e shoh që Meta ndihet i frikësuar se afrimi i zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit do t’i japin goditjen finale partisë së tij Lëvizjes Socialiste për Integrim, e cila do të jetë partia më e humbur. Kështu që edhe presidenti Meta duke parë këto zhvillime është hedhur në sulm kundër qeverisë, por që ju siguroj se do të dështojë dhe se askush nuk i shkon pas Ilirit”, deklaroi deputetja Malo për gazetën “SOT”. /Rigels Seliman