Ilir Meta, dje me anë të një statusi në rrjetin e tij social Facebook, reagoi për situatën epidemiologjike në vendin tonë. Meta u shpreh se rritja e infektimeve është një shqetësim prandaj duhen marrë masa të tjera.
Sipas tij, ky është një moment serioz i cili nuk mund të mbahet nën kontroll nga orari policor, por duhen masa shkencore si dhe vaksinim shtesë.
“Shtimi tepër i lartë i rasteve të infektimeve me COVID-19, fatkeqësisht dhe të humbjeve të jetëve në ditët e fundit, veçanërisht në rrethanat e reja të krijuara me përhapjen e variantin “Delta”, shtrojnë nevojën jetike për marrjen e masave të tjera efektive për të mos lejuar përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës.
Ky moment shumë serioz nuk mund të mbahet nën kontroll me orë policore, por me masa shkencore dhe proporcionale, vaksinim shtesë dhe protokolle shëndetësore të konsoliduara dhe të njohura ndërkombëtarisht. Testimi, gjurmimi, izolimi dhe trajtimi i duhur mjekësor janë hapa jetike në këtë situatë”, tha Meta.
Presidenti i bëri thirrje qeverisë që të shtojë sa më parë fondet për sistemin shëndetësor si dhe të përmirësojë shërbimin e ofruar ndaj qytetarëve. Sipas tij, qeveria duhet ti bëjë këto hapa në mënyrë që mjekët e infermierët që luftojnë në vijë të parë, të jenë në kushte të pranueshme.
“Inkurajoj qytetarët, veçanërisht ata me probleme të tjera shëndetësore dhe që nuk e kanë kaluar COVID-19, të vaksinohen sa më parë për të reduktuar mundësinë e përhapjes së virusit të rrezikshëm. Mbajtja e maskave, respektimi i distancimit fizik dhe higjiena maksimale janë të domosdoshme gjithashtu.
I bëj apel Qeverisë të shtojë sa më parë fondet për sistemin shëndetësor, për të përmirësuar shërbimin e ofruar ndaj qytetarëve dhe për të mos u gjendur sërish para gjendjeve të papranueshme të mjekëve dhe infermierëve në qendra shëndetësore, që luftonin në vijën e parë, pa pajisje mbrojtëse dhe mjetet e duhura”, tha ai.