Presidenti Ilir Meta duket se ka ndryshuar strategji në dhënien e nënshtetësive. Pas shpërthimit të skandalit me shtetësitë në media se iu ka bërë qoka qindra personave që nuk e kanë mërzitur atë, presidenti Meta po tregohet i kujdesshëm me dhënien e nënshtetësive.
Meta prej 1 muaji nuk kishte dhënë shtetësi për asnjë qytetar, ndërkohë që gjatë dy ditëve të fundit ka nxjerrë dy dekrete për dhënien e disa shtetësive. Në Fletoren e Botimeve Zyrtare janë publikuar dekretet, ndërsa bie në sy që Meta pas shpërthimit të skandalit ka ndryshuar formën e dekreteve, duke ia u deleguar ministrive përgjegjësinë për shtetësitë.
Kështu nga një verifikim që ka bërë gazeta, kreu i shtetit ka dhënë me dekret shtetësitë për disa qytetarë, ndërkohë që në të përmend edhe emrin e ministrisë që ia kë kërkuar atij. “Në mbështetje të nenit 92, pika “c”, dhe nenit 93 të Kushtetutës, si dhe të nenit 23, pika 1, të ligjit nr. 113/2020, “Për shtetësinë”, me propozimin e Ministrisë së Brendshme”, thuhet ndër të tjera në dekretin e presidentit.
Kjo do të thotë se Meta nuk po jep më shtetësi me procedurë të veçantë sikundër ka bërë rëndomtë gjatë këtyre tre viteve, por këtë ia ka deleguar si përgjegjësi ministrive, siç tregohet edhe në dy dekretet e fundit të dala prej tij për dy shtetas që kanë marrë nënshtetësinë shqiptare me kërkesë të ministrive.
Ndërkohë gazeta e tha pak ditë më parë se prej datë 16 tetor, deri në datën 19 nëntor Meta nuk ka dhënë asnjë dekret për shtetësitë edhe pse para se të zbulohej ky skandal, ai nxirrte minimumi 2 ose 3 dekret në javë, duke iu dhënë shtetësinë shqiptare qytetarëve të ndryshëm. Kështu që ky ndryshim strategjie dhe formati me shtetësitë, duke ia deleguar ministrive përgjegjësinë për shtetësitë, duket se ka alarmuar Presidencën, pasi presidenti Meta po tregohet i kujdesshëm për këtë çështje. Megjithatë, mbetet të shihet në ditët në vijim se çfarë do të ndodhë më konkretisht.
PS thellon hetimet për Metën
Por skandali me shtetësitë ka bërë që Komisioni i Sigurisë Kombëtarë, të thellojë hetimet për presidentin Ilir Meta. Edhe pse duket se kjo se kjo çështje ka humbur dhe nuk është më në vëmendjen e publikut, gazeta ka mësuar se Komisioni i Sigurisë po punon fort në prapaskenë për të “gozhduar” presidentin Meta.
Fillimisht ky komisioni zhvilloi një mbledhje dëgjimore me gazetarin që denoncoi skandalin me shtetësitë, të cilit në përfundim i administroi si prova edhe faktet që ai dispononte, ndërsa më pas u kërkua informacion nga Presidenca, Ministria e Brendshme dhe Shërbimi Informativ Shtetëror.
Por mësohet se plani për të hetuar Metën është forcuar rrugës, pasi një anëtar i Komisionit të Sigurisë i pohoi dy ditë më parë gazetës se komisioni është i vendosur për të hetuar me detaje veprimtarinë e kreut të shtetit për shtetësitë, ndërsa zbuloi se u janë dërguar shkresa për të marrë informacione plot 14 institucioneve. Sipas tij, arsyeja kryesore pse është shtrirë hetimin në kaq shumë institucione është se skandali me shtetësitë është një çështje me ndjeshmëri të lartë.
“Komisioni i Sigurisë Kombëtare është i vendosur për të hetuar skandalin e bërë publik në media mbi shtetësitë, ku është i përfshirë Presidenti i Republikës, Ilir Meta. Ne si komision në seancën e pak ditëve më parë administruam dokumentet e gazetarit që denoncoj skandalin me nënshtetësitë, ndërkohë kërkuam informacione edhe nga institucionet. Por nisur nga ndjeshmëria e skandalit dua t’ju bëj me dije se në kuadër të hetimit iu jemi drejtuar me shkresa, duke kërkuar informacion nga 11 ministri, SHISH, Policia e Shtetit, Prokuroria e Përgjithshme”, deklaroi një anëtar i Komisionit të Sigurisë Kombëtare për gazetën “SOT”.