Ilir Meta duket se është tërhequr nga sulmet ndaj mazhorancës qeverisëse. Prej shumë kohësh kreu i shtetit është vënë në qendër të vëmendjes, pasi është përfshirë në një “luftë” të fortë me qeverinë. Por ditën e djeshme presidenti Meta ka ndryshuar kurs, duke zbutur tonet e sulmeve ndaj qeverisë. Përmes një statusi në rrjetet sociale, zoti Meta iu ka bërë thirrje palëve politike që të ulen në dialog, ndërsa ka bërë përgjegjëse edhe opozitën për krizën politike që po kalon vend.
Madje, teksa ka sjellë në vëmendje Indeksin e fundit të “Fitch Solution”, pjesë e grupit të njohur ndërkombëtar të vlerësimit, “Fitch”, Meta theksoi se kriza politike është faktori kryesor se përse Shqipëria është futur në vendet e rrezikshme për t’u investuar.
“Dua të shpreh shqetësimin për raportin e agjencisë prestigjioze ndërkombëtare Fitch për vitin 2019, sipas së cilës Shqipëria është përkeqësuar në vlerësimin e shkallës së perceptimit të investitorëve, nga niveli 59.8, në 53.5. Pa u ndalur sot në shqetësimet që kanë të bëjnë me faktorët ekonomikë dhe financiarë, dua të tërheq vëmendjen ndaj aktorëve politikë, që faktori kryesor i këtij përkeqësimi është kriza e rëndë politike në vend. Ndaj duhet urgjentisht vendosja e dialogut politik dhe bashkëpunimit për adresimin e menjëhershëm dhe të besueshëm të kushteve të Bundestagut. Përndryshe, jo vetëm çelja e negociatave me Bashkimin Europian pamundësohet, por vendi ynë do humbasë më shumë besueshmërinë e investitorëve të huaj seriozë”, deklaroi ai.
Pra, ky reagim i presidentit Ilir Meta tregon se ky i fundit është i interesuar për të zbutur “gjakrat” me qeverinë, pasi pre e sulmeve të tij ka rënë opozita dhe sidomos kryedemokrati Lulzim Basha. Kjo do të thotë se raportet mes Metës dhe Bashës janë tejet të tensionuara. Edhe kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka ngritur alarmin pas raportit nga agjencia “Fitch”, e cila sipas tij, e ka listuar Shqipërinë si vend të rrezikshëm për të investuar. Përmes një statusi në rrjetet sociale, kryedemokrati Basha akuzoi kryeministrin Edi Rama si fajtor të krizës që ka kapluar vendin, ndërsa theksoi se PD ka gati platformën për të nxjerrë Shqipërinë nga kriza.