Presidenti Ilir Meta duket se po mban qëndrim me dy standarde sa i takon Gjykatës Kushtetuese. Prej disa muajsh ngritja e kësaj gjykate ka qenë kryefjalë e politikës dhe ndërkombëtarëve, ndërsa në shumicën e rasteve palët kanë bërë përgjegjëse njëra-tjetrën se nuk kanë vullnet për ta ngritur atë.
Kulmi i këtyre përplasjeve arriti kur presidenti Meta u rreshtua kundër ambasadorëve të atashuar në vend dhe kreut të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani, të cilët i bëri përgjegjës për kolapsimin e sistemit të drejtësisë. Madje, kreu i shtetit arriti deri aty se u përplas aq fort me zotin Dvoranin, sa i kërkoi llogari këtij të fundit se përse skulifikoi nga gara për Kushtetuese një ndër nga kandidatët e tij të preferuar, si zonja Zhaklin Peto.
Po ashtu, Meta këmbëngulte dhe iu kërkonte e iu dërgonte letra institucioneve të drejtësisë, që të shkarkonin kreun e KED, Dvorani, me argumentin se i kishte mbaruar mandatit qysh disa vite më parë, ndërkohë që ngrinte alarmin që vendi ishte pa Gjykatë Kushtetuese.
Por strategjia e tij duket se triumfoi, pasi Dvorani u shkarkua dhe si pasardhës i tij në krye të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi u zgjodh anëtarja e Kushtetueses, të cilës i ka mbaruar mandatit dhe që njihet si “besnike” e Metës, Vitore Tusha.
Dvoranin e shkarkoi, ndërsa për Tushën kyç gojën
Por në kushtet kur kryetares së Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Vitore Tusha i ka mbaruar mandati dhe logjikisht presidenti Ilir Meta duhet të mbajë të njëjtin qëndrim edhe për të siç bëri me Ardian Dvoranin, nuk ka ndodhur aspak kështu.
Meta Dvoranin e shkarkoi, ndërsa për Tushën, e cila ka edhe në dorë përzgjedhjen e anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese, e ka kyçur gojën. Gjatë një deklarate për mediat pas situatës së vështirë në Kakavijë, ka zgjedhur të mos komentojë vendimin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi për të ndaluar kandidimin e gjyqtares Regleta Panajoti në Gjykatën Kushtetuese.
Më konkretisht i ndalur tek vendimi i KED, Meta theksoi se nëse do të ishin ndjekur hapat e ndërmarrë nga presidenti që para 3 vitesh, Shqipëria nuk do të ishte asnjë orë pa Kushtetuese. “Kam zero koment për Gjykatën Kushtetuese. Nëse do ishin ndjekur hapat e ndërmarrë nga presidenti që para 3 vitesh, Shqipëria nuk do të ishte asnjë orë pa këtë gjykatë. Nuk është më kjo çështja imediate.
Imediate sot është shëndeti i njerëzve, sepse kjo situatë mund të vazhdojë gjatë. Kam bërë çdo përpjekje për të bashkëpunuar me qeverinë dhe çdo institucion tjetër që kjo sfidë e madhe e Covid-19 të ketë sa më pak kosto për shqiptarët. Për Kushtetutën kemi 3 vjet që flasim, padyshim jemi këtu, sepse jemi sjellë në mënyrë të papërgjegjshme me Kushtetutën e Shqipërisë që nga viti 2008”, deklaroi Meta.
Del zbuluar plani për të kapur Kushtetuesen
Por duke parë të gjitha këto zhvillime dhe qëndrimet me dy standarde të mbajtura nga presidenti Ilir Meta, del zbuluar plani i këtij të fundit për të kapur Gjykatën Kushtetuese. Me ardhjen në krye të kësaj gjykate të zonjës Vitore Tusha, duke qenë se është anëtarja më e vjetër, si dhe me emërimin e saj në krye të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, institucion që ka në dorë edhe përzgjedhjen e anëtarëve të rinj të Kushtetueses, gjithë synimi ishte që të bllokohej, në mënyrë që të kapej prej tij ky institucion kaq i rëndësishëm dhe që ka në dorë fatin e të gjithëve.
Ajo që e tregoi qartë planin e “Metës” ishte fakti se zonja Tusha i skualifikoi të gjithë kandidatët që kishin shprehur interes për t’u zgjedhur anëtarët të Gjykatës Kushtetuese për 2 nga vendet vakante që i takonin një Presidencës dhe një Kuvendit të Shqipërisë. Pra, kjo tregon se Meta nuk ka qenë kurrë i interesuar për të ngritur Kushtetuesen, por për ta kapur atë dhe vendosur si anëtarë njerëz që kanë simpatinë dhe besnikë të tij. Megjithatë, mbetet për t’u parë në ditët në vijim se çfarë do të ndodhë më konkretisht.