Kryeministri maqedonas Hristijan Mickoski, duke komentuar raportin e progresit të Komisionit Evropian për vendin e tij, ka deklaruar se ka më tepër arritje se Shqipëria.
Mickoski tha se nuk pajtohet me deklaratën e disa komisionerëve evropianë se Shqipëria është përpara Maqedonisë në rrugën drejt BE-së.
Ai shtoi se tani, pas zgjedhjeve lokale, qeveria do të përqendrohet në reformat në gjyqësor.
“Jam jashtëzakonisht i kënaqur pas raportit, sepse nuk ka konstatuar regres në ecurinë e reformave.
Duhet pranuar se ka ngecje në disa fusha, dhe për këtë arsye nevojiten ndryshime në Këshillin Gjyqësor dhe në Prokurori.
Gjithsesi, ne jemi para Shqipërisë në arritje e reforma.
Do të ishte më mirë nëse do të bënim ndryshimet kushtetuese, dhe pastaj nuk do të kishim një ‘veto’.
Mali i Zi është i pari, Maqedonia dhe Serbia në vendin e dytë, dhe pastaj vjen Shqipëria”, tha Mickoski.






