Gazetari i njohur nga Kosova, Milaim Zeka thotë se kryeministri Albin Kurti ka dorëzuar dorëheqjen pak kohë më parë në ambasadën e SHBA-së në Prishtinë, por sipas tij, “amerikanët nuk ia kanë pranuar”.
Zeka gjithashtu tha se Kurti është mes një dileme të madhe, pasi formimin e asociacionit ia kërkon Uashingtoni, ndërsa ai vetë ka ardhur në pushtet duke e kundërshtuar asociacionin e komunave serbe.
Kjo, sipas Zekës mund të sjellë zgjedhje të parakohshme, madje duke filluar nga 15 janari, nëse nuk ndodh, mund të sjellë një paketë të re sanksionesh për Kosovën.
Gjatë intervistës për “Top Talk” në Top Channel, Zeka shkoi edhe më tej kur tha se Kurti rrezikon të shpallet “non-grata” nga SHBA dhe Britania e Madhe nëse refuzon asociacionin.
“Blerja e armatimeve është sinjal që më shumë po i dërgohet Rusisë sesa Serbisë, perëndimi po bindet përditë për hipokrizinë e Vuçiçit, ky për mua është më i rrezikshëm se Millosheviçi, ky ka qenë zëdhënës i tij. Bota po tregon sinjale të qarta.
Ajo që më shqetëson është qëndrimi i Kurtit. Më shqetëson kryeneçësia e Albin Kurtit, e di fare mirë që asociacioni duhet të plotësohet. Nuk është kërkesë e Vuçiçit por është kërkesë e Uashingtonit. Albin Kurti nuk do e pranojë dhe do shkarkohet.
Albin Kurti ofroi dorëheqjen në ambasadën e SHBA në Prishtinë para pak kohësh, pro amerikanët nuk ia pranuan. Albin
Kurti nëse pranon asociacionin, digjet nga elektorati i tij, ky ka ardh në pushtet duke kundërshtuar asociacionin.
Nëse nuk e përmbush këtë kërkesë, pas 15 janarit presioni do të rritet shumë ndaj Albin Kurtit, dhe Kosova pret një pako të re sanksionesh.
Sipas informacioneve të mija diplomatike, nëse Kurti nuk pranon asociacionin, ne do të shkojmë në zgjedhje të parakohshme, por Albin Kurti rrezikon të shpallet person “non-grata” nga SHBA, BE dhe Britania e Madhe”, tha ndër të tjera Zeka.