Gazetari Milaim Zeka ka shpërthyer dje ndaj atyre që mbështesin ardhjen e këngëtarit serb Goran Bregoviç në Korçë.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Zeka deklaroi se të gjithë ata që kërkojnë me ngul praninë e Bregoviç në festën birrës Korça në të vërtetë janë përçarës shqiptar. Sipas tij, politika po përdor këngëtarin për të përçarë shqiptarët me kosovarët, sepse gjithmonë interesat politike ose fetare janë përdorur nga keqdashësit për të përçarë një popull.
Këtu ai ka marrë shembullin e disa viteve më parë kur Serbia kishte përdorur shqiptarët e shitur për të mbuluar aktet e saj të dhunshme në Kosovë dhe për të zënë shqiptarët mes tyre. “Ata që po i fryjnë Bregoviçit, janë përçarës shqiptar. Serbia, që 120 vite, përmes shërbimeve të veta, por sidomos injorantëve shqiptar, që sapunin e kane ngrenë për samun, i ka përçarë shqiptarët në të katër anët e globit.
Përçarja gjithmonë ka ardhur o përmes politikës, o përmes fesë. Diku para 100 vitesh, natën e festës të Bajramit, shërbimi sekret serb, kishte therur disa derra me një xhami në një fshat te Gjakovës. Pas këtij akti barbar, ata kishin përhapur lajmin se ishin shqiptarët katolike që kishin bëre këtë shëmti.
Natën kishte plasur lufta mes shqiptarëve”, është shprehur ai. Ndër të tjera përmes këtij statusi, Milaim Zeka ka deklaruar se më i pafalshëm është fakti që disa media dhe biznese në Shqipëri mbrojnë Bregoviç. Sipas tij, këto media dhe biznese janë të shitura sepse financohen nga Beogradi dhe tashmë po kontribuojnë në përçarjen e shqiptarëve.
“Sot, ne shekullin e internetit, po përdoret Bregoviçi për të na përçarë si është mas keqi. Mbrapa këtij turpi kombëtar qëndrojnë biznese dhe media, që grazhdin e parave e kanë në Beograd. Unë që po shkruaj këta rreshta, përpos i burgosur politik i protestave të studentëve, jam edhe gazetar lufte.
Familjarët e mi i ka pre Serbia me kosë në fyt. Nënën ma kanë pjekur të gjallë. Po unë nuk jam ai brumi serb, që në emrin e shqiptarizmit, t’i përçarje shqiptaret, pse një Bregoviç leshi po këndojka në Korçë”, deklaroi Zeka.