Të paktën 13 persona janë arrestuar nga Drejtoria e Krimit Ekonomik. Mes të arrestuarve në pranga kanë rënë edhe 7 biznesmenë të njohur në vend që operojnë kryesisht në biznesin e ndërtimit dhe të firmave të konstruksioneve. Po ashtu në pranga kanë rënë edhe biznesmenë që operojnë në fushën e Policisë Private. Gazetarja e Report Tv, Xhensila Kodra, bën me dije se të arrestuarit kanë bërë miliona lekë dëm me faturat tatimore.
Të gjithë të arrestuarit janë vënë në pranga me urdhër nga Prokuroria e Tiranës ku këta të fundit kishin bërë hetime prej disa muajsh. Burime për Report Tv pohojnë se fillimisht kanë qenë së paku 50 persona të shoqëruar.
Aksioni për arrestimin e tyre po vijon prej dy ditësh dhe ende po kërkohen persona të tjerë. Ky operacion vjen në kuadër të aksionit anti-informalitet që është shtrirë në të gjithë vendin dhe ka sjellë arrestime e bllokime të qindra bizneseve që janë kapur me shkelje.