Aksidenti në Tempe shkaktoi tragjedinë më vdekjeprurëse hekurudhore në historinë e Greqisë. Sipas njoftimit zyrtar të kompanisë, “treni IC 62 u nis nga Athina me 431 pasagjerë, 81 persona zbritën në stacionin e Larisës.
Treni vazhdoi udhëtimin me afërsisht 350 pasagjerë. Mes pasagjerëve kishte edhe shumë studentë. Mediat greke raportuan edhe thirrjen e një familjeve me origjinë shqiptare në Larisa, të cilët kërkonin vajzën e tyre studente, e cila po kthehej në shtëpi me të njëjtin tren. Sakaq, ministria e Jashtme e Shqipërisë konfirmoi 5 shqiptarë të plagosur.
Pse nuk funksionon sistemi automatik kombëtar i mbrojtjes së transportit hekurudhor?
Sistem automatik kombëtar i mbrojtjes së transportit hekurudhor nuk ka funksionuar kurrë në Greqi. Sistemi elektronik i sinjalizimit – i pajtueshëm me atë të pjesës tjetër të vendeve evropiane – u instalua, por nuk funksionoi për shkak të dëmtimeve dhe sabotimeve, ndërsa projekti i restaurimit dhe përmirësimit të tij, i cili filloi në vitin 2014, nuk ka përfunduar ende.
Sisteme të tilla do të kishin parandaluar aksidentin tragjik, pasi sigurojnë që trenat të ‘komunikojnë’ me njëri-tjetrin dhe me shinat, si dhe me një qendër kontrolli. Komisioni Evropian i dha përparësi krijimit të një sistemi të unifikuar të menaxhimit të trafikut hekurudhor në Evropë. Sipas një raporti të Gjykatës Evropiane të Audituesve, nga viti 2007 deri në vitin 2020 janë ndarë pothuajse 4 miliardë euro përmes FSK-së së 3-të dhe FSKSH-së, por pa rezultatet e pritura.
Kontrata kishte një buxhet fillestar prej 41 milionë euro dhe një afat përfundimi prej dy vitesh. Megjithatë, që nga viti 2016 ka filluar të marrë vazhdimisht para por pa përfunduar. Në total ka marrë shtatë financime, e fundit më 7 dhjetor 2022, me një afat të ri për përfundimin në mars 2023 dhe buxheti i projektit tani është rritur në 51.2 milionë euro.
Në të njëjtën kohë, së bashku me zgjatjen e fundit, ERGOSE nënshkroi edhe një kontratë suplementare, në vlerën 13.3 milionë euro, me të njëjtin afat për përfundimin. Duhet theksuar se në janar 2021, TOMI (degë e “Elactor”) u tërhoq nga sipërmarrja e përbashkët, me Alstom që merrte përsipër pjesën e saj të projektit.
Sipas burimeve nga Ministria e Infrastrukturës , projekti ishte “ngrirë” në vitet 2017-2019 për shkak të mosmarrëveshjeve serioze mes ERGOSE dhe kontraktorit. Për shembull, sistemi i “komunikimit” i instaluar nga një kontraktor tjetër në shina nuk ishte i pajtueshëm me sistemet e Alstom.
Flasin dëshmitarët, mes pasagjerëve edhe një pjesëmarrëse e reality show-n “Big Brother”
Mes pasagjerëve që i mbijetuan përplasjes së tmerrshme të trenit në Greqi, jo shumë larg Larisës, është edhe Evdokija Cangli, pjesëmarrëse në reality show-n “Big Brother”.
Ajo tregoi për mediat greke se si arriti të shpëtonte nga treni i vdekjes. – “Isha në vagonin e tretë, në të cilin ishte një vajzë tjetër me macen e saj. E shëtisnim lart e poshtë dhe luanim me të. Ne po qeshnim”, tha Cangli. Në momentin e përplasjes ajo ka arritur të ulet në vendin e saj dhe ata që ndodheshin në korridor nuk kanë shpëtuar. – “Ndjeva që vagonët po ktheheshin dhe godita fort ballin dhe hundën në sipërfaqen e fortë. Vagoni mori flakë menjëherë dhe ndjeva se flokët më kishin marrë flakë”, thotë Cangli.
Siç tregon ajo, paniku është një fjalë shumë e vogël për të përshkruar atë që po ndodhte në atë moment. “Ne po kërkonim një mënyrë për të dalë nga vagoni, gjetëm një dalje përmes rrënojave dhe më pas kuptuam se distanca që na ndante nga toka ishte e barabartë me lartësinë e katit të dytë të një pallati banimi”, tregoi Cangli.
“Më duhej të vendosja nëse do të digjesha apo do të thyeja kockat duke rënë nga ajo lartësi. Zgjodha të hidhesha, por u përpoqa të zvogëloja lartësinë time. U mbajta pas vagonit për aq kohë sa munda të mbaja, dhe pastaj hodha xhaketën në tokë për të rënë pak më butë. Fatkeqësisht rashë në një gur dhe theva legenin”, tha ajo. Cangli shpjegon se për shkak të adrenalinës nuk ka ndier dhimbje dhe ka nisur të vrapojë me njerëzit e tjerë, të cilët ishin po ashtu të plagosur, duke mos ditur se ku po shkonte. “Thjesht vrapuam dhe inkurajuam njëri-tjetrin, faleminderit Zotit që jemi gjallë”, përfundoi Cangli.