Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi ka përfituar pjesë takuese në një seri pronash të patundshme nga trashëgimia, të cilat nuk rezultojnë të llogaritura në vlerë financiare në analizën e pasurisë.
Voltana Ademi u zgjodh kryetare e Bashkisë së Shkodrës në zgjedhjet lokale të vitit 2015, pas një karriere si prefekte dhe deputete e Partisë Demokratike. Ajo fitoi me 56.39% të votave ndaj rivales së saj politike të Aleancës për Shqipërinë Europiane.
Voltana Ademi ka përfunduar studimet në Universitetin e Tiranës për shkenca kompjuterike si dhe ka kryer studimet master për “Qeverisjen dhe Zhvillimin Territorial”. Ajo e ka nisur karrierën si lektore pranë universitetit “Luigj Gurakuqi” në Shkodër, ndërkohë që është angazhuar në disa projekte të planifikimit strategjik dhe financiar për njësitë e qeverisjes vendore.
Karriera e saj politike nisi në vitin 1996 si anëtare e Partisë Demokratike. Ademi ka drejtuar Forumin e Lidhjes Demokratike të Gruas në Shkodër në vitet 2003-2008 dhe është zgjedhur anëtare e Këshillit Kombëtar të PD-së në vitet 2005-2009. Në vitet 2007-2010, Voltana Ademi kryesoi grupin e këshilltarëve të koalicionit të djathtë në Bashkinë e Shkodrës.
Ademi u zgjodh prefekte e Qarkut të Shkodrës në vitet 2011-2013 dhe më pas deputete e Kuvendit të Shqipërisë. Në vitin 2015, ajo hoqi dorë nga mandati i deputetes për të drejtuar bashkinë e Shkodrës. [Lexo CV-në e plotë].
Ky raport është prodhuar nga BIRN pas administrimit të deklaratave të pasurisë nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrolli të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI. Ai ka për qëllim bërjen e transparencës mbi pasuritë e kryetarëve aktualë të bashkive të vendit në fund të mandatit të tyre 4-vjeçar.
Skeda grafike e mëposhtme paraqet pasurinë e deklaruar nga kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi nga viti 2003 deri në fund të vitit 2017.
Në vitin 2003, kur ka deklaruar për herë të parë pasurinë në cilësinë e nënkryetares së Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi nuk zotëronte asnjë pasuri.
Ndërsa në fund të vitit 2017, znj. Ademi zotëron pjesë takuese në një seri pronash të patundshme në Shkodër të përfituara nga trashëgimia, por të pavlerësuara në vlerë financiare si dhe 5 milionë lekë kursime në cash.
Të ardhurat familjare për periudhën deklaruese janë 19.2 milionë lekë. Rreth 56% e të ardhurave burojnë nga paga për shkak të funksionit dhe 12% nga paga e bashkëshortit. Ndërsa të ardhurat e përfituara nga dhënia e pronave me qira vlerësohet në 19% të totalit.
Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’ që identifikohen gjatë kontrollit. BIRN kreu kontrollin aritmetik/logjik për 10 vite të deklarimit, nga të cilat asnjëra prej tyre nuk rezultoi me probleme.
Megjithatë, nga analiza cilësore e deklaratave të pasurisë u identifikuan disa “flamuj të kuq”, të cilët lidhen kryesisht me deklarimin e vonë të një kontrate sipërmarrjeje si dhe me kursimet në cash të mbajtura jashtë sistemit bankar.
Gjithashtu vlen për t’u shënuar se shumica e pronave të Znj. Ademi, të përfituara nga trashëgimia nuk rezultojnë të jenë vlerësuar dhe në këtë analizë nuk shënohen me vlerë financiare. Bëhet fjalë për pjesën takuese të saj në një seri pronash të patundshme, të përbëra nga toka, një sipërfaqe trualli si dhe ndërtesa, të gjitha të fituara nga trashëgimia.
Në vitin 2014, Znj. Ademi deklaron se ka përfituar pjesë takuese në një apartament 64 m2 dhe dy apartamente nga 97m2 përmes shkëmbimit të truallit nga një kontratë sipërmarrje e vitit 2010. Të drejtat e përfituara nga kontrata e vitit 2010 janë deklaruar për herë të parë në vitin 2014.
BIRN identifikoi gjithashtu si “flamur të kuq” shitjen e një automjeti në vitin 2016 në vlerën e 2500 eurove, pronësia e së cilit nuk rezulton në deklaratat e mëparshme.
Sa i përket kursimeve cash prej 5 milionë lekësh, ato deklarohen të kursyera para marrjes së mandatit në vitet 2005-2011. Kjo gjendje rezulton e pandryshuar deri në fund të vitit 2017, ndërkohë që e tejkalon kufirin e lejuar prej 1.5 milionë lekësh të përcaktuar nga ligji për deklarimin e pasurisë.
Deklarata e pasurisë së vitit 2003
Deklarata e pasurisë së vitit 2004
Deklarata e pasurisë së vitit 2011
Deklarata e pasurisë së vitit 2012
Deklarata e pasurisë së vitit 2013
Deklarata e pasurisë së vitit 2014
Deklarata e pasurisë së vitit 2015
Deklarata e pasurisë së vitit 2016
Deklarata e pasurisë së vitit 2017