Deputetja e Partisë Socialiste, Mimi Kodheli dje ka folur për hyrjen e saj në Parlament si dhe qeverinë e re. Kodheli u shpreh se me nisjen e sesionit parlamentar duhet bashkëpunim për gjërat madhore, të cilat do të çojnë në qëllimin e hapjes së negociatave.
Ajo tha se PS i ka dhënë sinjalet dhe mesazhet e saj të bashkëpunimit ndërmjet kryeministrit Edi Rama. Lidhur me emërimin e Lindita Nikollës si kryetare Kuvendi, sipas Kodhelit është një vendim i mirë pasi një femër si kryetare e zbut gjuhën në Parlament. “Presim të fillojë sezoni i ri parlamentar. Shpresoj të jetë një nisje e mbarë. Ditën që ne do të bashkëpunojmë për gjërat madhore, ajo do jetë dita që do meritojmë hapjen e negociatave.
Nuk kemi ditur ta bëjmë. Ne kemi dhënë mesazhe dhe sinjale bashkëpunimi, përmes kryeministrit. Pati emra që më surprizuan? Jo domosdoshmërisht për mua. Janë kolegë, me të cilët punojmë dhe rrimë bashkë. Shumica ishin rikonfirmime. U gëzova pa masë për zonjën Nikolla. Është një kolegë dhe mike e mirë. Besoj se një zonjë në krye të parlamentit e zbut gjuhën”, u shpreh ajo. Lidhur me hyrjen e saj në Parlament, Kodheli tha se do të jetë e pranishme dhe aktive në politike pasi ka ende për të thënë dhe për të dhënë.
Ajo u shpreh se momentalisht do të vazhdojë detyrën e saj si zv.presidente e Asamblesë Parlamentare të NATO, e cila sipas saj është një ndër detyrat më të larta. “Besoj se do jem në Parlament. Falënderoj anëtarët e Asamblesë Kombëtare që më votuan në Kryesinë e PS-së. Është e njëjta përgjegjësi për mua. Por rikonfirmimi edhe kur nuk je pjesë e qeverisjes, mbetet vlerësim i madh. Do jem pjesë aktive e politikës. Kam për të thënë dhe dhënë. Për momentin do vazhdoj të jem zv.presidente e Asamblesë Parlamentare të NATO-s. Për mua është një nder. Është një ndër detyrat më të larta”, tha Kodheli.