Minella Borova lindi në Korçë në vitin 1947 dhe u largua nga jeta në vitin 2013. Aktor, kritik, pedagog. Kreu studimet e larta për aktor në Institutin e Lartë të Arteve në vitin 1969.
Punoi në teatrin “A.Z Cajupi” të Korçës deri në vitin 1979, më pas si pedagog i “Mjeshtërisë së aktorit” në Institutin e Lartë të Arteve deri më 1989 dhe si specialist i teatrit në Ministrinë e Kulturës deri më 1991.
Në vitin 1993 emigroi për gati 15 vjet në Argjentinë për t’u rikthyer sërish në vitin 2006, ku edhe nisi punë si specialist i teatrit në Qendrën Ndërkombëtare të Kulturës “Pjeter Arbnori”.
Roli i tij i parë është ai i Lirimit në dramën “Njollat e murrme” (1969) të Minush Jeros me regji të Mihal Luarasit, me të cilin fitoi edhe çmim si “Aktor i ri”. Minella Borova u shqua më fort si aktor i planit satirik, por herë-herë edhe lirik e romantik.
Në lojën e tij spikat një humor i gjallë, shije e holle, një gjest dhe një sjellje e shpenguar, njëherazi edhe elegante, ku ndihet synimi për të skicuar tipa e karaktere të ndryshëm. Ishte aktor i natyrshëm, me një përshtatmëri të mirë.
Ndër rolet më të realizuar janë:
Leka te “Të pamposhturit” e M. Jeros, 1970;
Martini te “Mosha e bardhë” e Dritëro Agolli, 1972;
Stenli Kor tek “Engjejt e skëterrës” (në origjinal Foot-Boll) e George Bellak dhe Pol Kanten, 1972;
Mëuesi te “Plumbat e shkronjave” e Naum Priftit, 1974;
Hetuesi te “Qyteti i akuzuar” e Teodor Lacos, 1978;
Vehapi te “Tri ditët e kiametit” e Luan Qafezezit, 1984;
Raqi te “Mësuesi i letërsisë” e Ruzhdi Pulahës, 1986 etj.
Në vitin 2007 pas një ndërprejeje rreth 15-vjeçare, luajti rolin e protagonistit në diadramën “Duke pritur Henën” e Karlos Maria Alsina, me të cilin riafirmoi talentin e tij si aktor që gërsheton mirë rrafshet psikologjike me ato humoristike e satirike, duke kaluar në mënyrë të qartë sa nga njëri te tjetri.
Minella Borova fitoi emër më fort si aktor i filmit, ku ka realizuar një spektër të gjerë figurash të dimensioneve e karaktereve të ndryshme si tek “Udhëtim në pranverë”, “I treti”, “Pylli i lirisë”, veçanërisht me rolin e oficerit fashist në filmin “Në fillim të verës”. Ai ka shkruar edhe mjaft artikuj kritikë për teatrin, sidomos në vitet 1980-1990.