Me të drejtë ka një tërbim e zemërim qytetar ndaj institucioneve shtetërore për tragjedinë e Himarës. Me të drejtë kritikohen strukturat e policisë e institucionet e tjera.
Askush nuk pretendon se përgjegjësia penale shkon deri te drejtori i Policisë së Shtetit, apo ministri i Brendshëm. Kjo përgjegjësi mbetet te komisari i shkarkuar Arjan Tase dhe me të tashmë u takon të merren organet e drejtësisë.
Megjithatë, përgjegjësia morale shkon së pari te i gjithë zinxhiri i policisë dhe i Ministrisë së Brendshme dhe më pas te e gjithë shoqëria. Pse? Policia ka problematikat e saj, por kur ka ndodhur në të shkuarën që drejtori i përgjithshëm i saj të marrë përgjegjësinë dhe fajin moral në të shkuarën?
Gledis Nano e bëri këtë të mërkurë kur shkoi në Dhërmi. Pranoi të gjithë përgjegjësinë, e ndoshta edhe më tepër nga sa i takon, megjithëse e shpërndau atë te mbi 10 mijë punonjësit e forcave të rendit.
Kush më pak e kush më shumë ka mëkatet e tij në tragjedinë e Himarës. Por, ai që ka fshehur kokën si struci në këtë situatë është ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi. Kur është për të marrë meritat, Çuçi është i pari që shfaqet në krah të uniformave blu, ndërsa kur ndahet përgjegjësia e ngjarjeve të rënda, si rasti në Himari, ai hesht.
Hesht sepse disa emërime e ngritje në detyrë, që më pas kanë rezultuar problematike në radhët e Policisë së Shtetit, siç mëson Voxnews.al janë sponsorizuar prej tij, që ka përdorur pushtetin si ministër i Brendshëm për të diktuar lëvizjet në radhët e uniformave blu.
Gledis Nano, si drejtor relativisht në moshë të re i Policisë së Shtetit dhe që brenda javës dha llogari dy herë në SPAK, në këtë rast e kreu detyrën e tij përmes shkarkimit të autorit të tragjedisë, të të gjithë zinxhirit drejtues të policisë kufitare në Vlorë, apo edhe të komisariatit të Himarës dhe përmes mbajtjes së përgjegjësisë morale që i takon.
Po Bledi Çuçi? Ministri ka lidhur gjuhën edhe në këtë rast, ashtu siç bëri në qershor të vitit të kaluar, kur 4 persona mbetën të vrarë në plazhin e Velipojës, ndërsa ai merrte rreze në plazhet e jugut të vendit sikur të mos kishte ndodhur gjë.
Roli i Çuçit sot më shumë se ministër i Brendshëm është si administrator rrjetesh sociale, ku shpërndan çdo postim të Ramës dhe nxiton që të marrë, apo ndajë meritat për çdo sukses të Policisë së Shtetit.