Pakujdesi e autoriteteve të Aeroportit të Shkupit apo provokim – këta janë dy skenarë të mundshëm për atë që i ka ndodhur presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, në aeroportin e Shkupit më 1 gusht, thotë për Radion Evropa e Lirë Afrim Hoti, profesor i së Drejtës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës. Kjo, në bazë të informacioneve që deri më tani janë bërë publike.
Presidenca e Kosovës ka akuzuar autoritetet e Maqedonisë së Veriut për shkelje të praktikave ndërkombëtare dhe Konventës së Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike, duke thënë se, më 1 gusht, presidentes Vjosa Osmani është tentuar t’i merret telefoni personal nga një pjesëtar i sigurimit të Aeroportit të Shkupit (TAV). Këshilltari politik i presidentes, Bekim Kupina, ka thënë se pavarësisht faktit që i janë bërë të ditura rregullat diplomatike, “ai [sigurimi] ka tentuar fizikisht ta shtyjë presidenten, me ç’rast është detyruar që të reagojë Policia e Kosovës për t’i hapur rrugën”.
Autoritetet maqedonase i kanë hedhur poshtë këto akuza të Presidencës kosovare, por thanë se kanë nisur hetimet për këtë rast. Nga kompania TAV thanë se departamenti i sigurisë, në kuadër të përgjegjësive, ka kryer kontroll standard të sigurisë. Sipas Hotit, sigurimi i aeroportit “absolutisht nuk ka të drejtë” të sillet siç është sjellë me presidenten Osmani. Ai konsideron se nëse flasim për skenarin e një pakujdesie, atëherë e drejta ndërkombëtare parasheh kërkim-faljen.
Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti reagoi në rrjetet sociale në lidhje me incidentin në aeroportin e Shkupit me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe shoqëruesit e saj.
Ai e cilëson një skandal të papranueshëm këtë ngjarje teksa shton se ndihet i turpëruar.
“E dashur Presidente, më vjen shumë keq për incidentin dhe skandalin e papranueshëm diplomatik në aeroportin e Shkupit dhe e dënoj në formën më të ashpër të mundshme.
Unë skuqem nga turpi i tyre dhe lus të gjithë vëllezërit dhe motrat në Kosovë, por edhe qytetarët tanë, që t’i falin për arsye se nuk dinë se ç’bëjnë.
Kur nuk kanë turp të shkelin mbi popullin e vet, mbi vullnetin demokratik të qytetarëve në zgjedhje e të vihen në shërbim vazal e servil të tjetër kujt duke na sjell Putinin e Vuçiçin në Qeveri, atëherë si pyet askush për asgjë dhe na turpërojnë çdo ditë, nga disa herë me radhë”, shkruan ai.