Detaje të reja bëhen publike për gardistin Shkëlzen Qordja, i cili u gjet sot i vdekur në garazhin e Gardës së Republikës me një plumb në kokë. 31- vjeçari, punonte si shofer i ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj. I riu ishte i martuar dhe jetonte në Qytetin Studenti.
Gjithashtu vëllai i tij është punonjës i Gardës dhe punon si shofer i sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave Ëngjëll Agaçi.
‘Unë di të them një gjë me përgjegjësi, kush e njeh atë djalë nuk e imagjinon dot, që ai të ketë bërë vetëvrasje. Nuk ka qenë karakter i tillë, që mund të bënte atë akt’, është shprehur një nga miqtë e tij për mediat. Sipas tij informacionet për ngjarjen e rëndë, po mbahen të fshehta edhe mes kolegëve të të ndjerit.
Ndërkohë në faqen e tij në Facebook, Shkëlzeni shkruan: ‘Misionar i Partisë Socialiste.’
Prokurori që ka marrë në dorë hetimin, Albert Demirneli, ka urdhëruar sekuestrimin e pamjeve filmike nga garda për të parë nëse Shkëlzen Qordja shoqërohej nga dikush në momentin që hyri në ambientet e Gardës.