Së fundi një prej violinistëve të rinj elbasanas ka gjetur dhe publikuar një foto të violinës së Ustait të madh të muzikës popullore elbasanase, Isuf Myzyri. Fotografia e violinës i ka rënë rastësisht në dorë Armandit, siç thotë dhe ai vetë, ishte hedhur në një vend që nuk do të mendohej se mund të ishte aty. Ai thotë se kjo fotografi është një kopje e origjinales, e cila nuk dihet se ku ndodhet.
Por, ajo çfarë ka shfaqur interes është fakti se ku ka përfunduar vërtet violina e Isuf Myzyrit. Edhe për këtë ka disa versione. Dikush thotë se ajo ka qenë në muzeun e qytetit në Kala para viteve 80-të dhe një anëtar i Ansamblit të Shtetit në një vizitës e ka shkëmbyer me të vetën. Një tjetër histori që qarkullon është ajo e Vilson Todrit, një tjetër violinist i Normales, i cili mësohet se ia ka dorëzuar Shtëpisë së Kulturës, kur drejtohej nga Thanas Meksi. Në fakt shumë nga materialet e Shtëpisë së Kulturës përfunduan në duar të tjera pas vjedhjes së herëpashershme të këtij institucioni.
Askush nuk di të thotë se ku ka përfunduar kjo violinë, por sot do të ishte një vlerë e madhe e folklorit nëse do ta kishim ruajtur. Na mbetet të sodisim vetëm fotografitë e virtuozit të muzikës popullore qytetare elbasanase.
Histori të Isuf Myzyrit
Isuf Myzyri, ustai i muzikës popullore elbasanase ka lënë edhe historitë e tij që tregojnë edhe shpirtin si dhe dashurinë e madhe për muzikën por edhe një ndër zanatçinjtë qeleshe-bërës ndër më të mirët në Elbasan. Për Myzyrin familjet elbasanase kanë trashëguar shumë histori të vërteta të cilat hedhin edhe dritë mbi karakterin dhe dashurinë e madhe për këngën dhe muzikën popullore.
“Më 1937 L .M. e tij, Mbreti Zogu I, organizoi një ekspozitë me rastin e 25 vjetorit të Pavarësisë. Usta Isuf Myzyri dërgon në këtë ekspozita një qeleshe të punuar me merak nga ai vetë. Dhuratën e shoqëron me këtë diçiturë:
“Nga vakti hollë,
Nga mosha, pleqni,
Si njeri pa shkollë,
Na fal kusuret Naltmadhëni.
Mbreti gjatë vizitës, kur sheh qeleshen, pyet për dhuruesin dhe ç’ishin shkruar. Shoqëruesi ia shpjegon. Mbreti në moment urdhëron që ti dërgohej Usta Isuf Myzyrit një monedhë floriri “Pesëbashë”.
Një tjetër histori tregon për periudhën para luftës kur edhe Myzyri mbushte mesditën e elbasanase me muzikën e tij.
“Para lufte, ishte rregull që të gjithë tregtarët elbasanas t’mbyllin dyqanet në orë 12.00 dhe ti hapnin nga ora 4 pasdite. Tregtarët drejtoheshin për në kafen e Mitareve, në Hamamin e Shabanajve ku përsëritej i njëjti ritual. Usta Isufi me pjesëtarë të orkestrës së tij bënte aheng.
Ustai me kujdes dhe autoritet hapte kapakun e kutisë së violinës dhe ia merrte këngëve të krijuara prej tij….. Asnjë nuk pipëtinte bile as guxonte t’i thoshte ustait “Merr filan këngë….! Sepse ai zemërohej, mbyllte violinën, çohej në këmbë dhe ikte pa thënë asnjë fjalë.
Ka madje një histori kur Isuf Myzyri nuk pranoi të shkruante këngë popullore për Enver Hoxhën për shkak të varfërisë të shkaktuar deri edhe mungesën e bukës.
“Një ditë, në vitet e periudhës komuniste, Baki Kongoli, shkon tek Usta Isufi dhe i kërkon atij të thurë një këngë për Enver Hoxhën. Usta Isufi i indinjuar i thotë “ç’më thue mor Baki?!!. Ai më ka lënë pa triskë buke, kurse unë ti baj kangë…?!!…Gja që s’bahet, mor Baki”./Konica.al/Bardha Nergjoni