Nga Ylli Pata
Siç ndodh çdo vit kur vjen 23 maji, në rrjetet sociale tek ne, përmbyten me foto të masakrës së Capaci-it, ku u hodh në erë prokurori antimafie Italian, Giovani Falcone, gruaja e tij dhe agjentët e eskortës, ku dhe jepen citate pa fund prej tij.
Në fakt, Giovani Falcone, përbën një fenomen, një simbol jo vetëm në vendin e tij-Italinë, por në të gjithë botën, pasi përveçse theu tabunë e pandëshkueshmërisë së njerëzve më të pushtetshëm e të frikshëm në vendin e tij, gjeti ilaçin se si vendosen prangat dhe dënohen të gjithëpushtetshmit.
Sapo hodhi këmbën në Itali, i penduari më i rëndësishëm i Cosa Nostra-s; Tomaso Buschetta, i tha Falcones se nuk do t’i flasë për lidhjet e mafias me politikën.
Disa herë Giovani Falcone, i cili ishte i vetmi që e merrte në pyetje të penduarin e tij më të rëndësishëm, bënte sikur harronte dhe i kërkonte emra politikanësh që dilnin herë pas here nga seancat, e për të cilat Buschetta përdorte fraza të paqarta: “një politikan i njohur, një zyrtar i lartë etj”. Një herë prokurori i njohur u nxeh shumë kur Buschetta refuzoi të flasë për politikanët, mblodhi dosjet, fiku cigaren në tavëll dhe u bë gati të ikte.
I penduari, e kapi për krahu Falconen dhe e ftoi të ulet: “Gjykatës, qetësohu të lutem, pi pak ujë”. Ndenji një copë herë dhe shtoi: “Unë nuk flas për politikanët, pasi dua që të mos ndodhë asgjë ty, pasi ajo është vija e kuqe. Sapo të nis të flas, atëherë ata do të të vrasin”.
Giovani Falcone, me kontributin e Buschetta-s arriti të çojë para gjykatës tërë kupolën e Cosa Nostra-s, i dënoi kapot e mafias me burgim të përjetshëm, vendim që u konfirmua në të gjithë shkallët e gjyqësorit.
E pikërisht pas vendimit të Gjykatës së Kasacionit, ku nuk kishte më kthim, Toto Riina vendosi të shpallë luftën, që të siguronte një tratativë me shtetin. Si fillim, dy muaj përpara Falcones vrau politikanin e afërt me Cosa Nostra-n: Salvo Lima, mëqë nuk arriti të bëjë gjë në Gjykatën e Lartë. Më 23 maj 1992, 500 kilogram tritol u vendos nën autostradën që lidh Palermon me aeroportin, shpërthimi i të cilit tronditi të gjithë Italinë. Më pas sërish me tritol u vra Paolo Borselino, e një sërë atentatesh të tjera në tërë Italinë; Romë, Firence, Milano etj, të cilat kishin synim për të frikësuar njerëzit e gjunjëzuar shtetin, duke tentuar që të krijojë një klimë që të squllë politikanët kolaboracionistë e të korruptuar.
Antonino Calderone, një nga të penduarit e parë të Cosa Nostra-s pas Buschetta-s, u takua me Giovani Falcone-n në një kazermë të xhandermarisë në Francën jugore. Kur prokurori e pyeti se cili është pushteti i vërtetë i mafias; s paratë? Jo, ja ktheu anëtari i Cosa Nostra-s: është pushteti i ndëshkimit, i vrasjeve, eksplozivëve, dhunës e barbarisë.
Pra, pandëshkueshmëria mbahet me dhunë, skuadra vrasjesh dhe egërsi për të frikësuar të gjithë, në radhë të parë ata që kanë mundësi të hetojnë e veprojnë: se “na preke, je i vdekur”.
E kemi parasysh të gjithë panoramën që ka ndjekur Shqipëria që në vitin 2016 kur nisi reforma në drejtësi. Çfarë nuk u bë në këtë vend, vetëm e vetëm që të mos shtyhej përpara ngritja e SPAK dhe largimi i trupës së vjetër të prokurorëve dhe gjyqtarëve. Premtohej se do të digjej vendi, u hodhën paratë lum. Çfarë su bë për të ndaluar nisjen e stinës së pandëshkueshmërisë në vend. Të mos prekeshin ata politikanë që ju digjte e ju djeg miza nën kësulë, sa bënë namin; shpallën hajdutë, prostituta, kurvarë, të gjithë diplomatët më të rëndësishëm në vend që mbështetën “Pandeshkueshmërinë e zyrtarëve të lartë”.
U sulmuan aq rëndë, si për të thënë se “jemi aq të fuqishëm sa bëjmë namin, kur s’pyesim për diplomatë kaq të lartë, s’llogarisim asnjë”. E ndërkohë nëpërmjet Prokurorisë, ku drejtonte njeriu që hapi serinë botërore të ndëshkimit sipas 7031 nga qeveria e SHBA-Adriatik Llalla, hapeshin dosje në emisionet e darkës.
E ku reporterët pranë Llallës u bënë edhe protagonistët më të zhurmshëm të planit që kishin hartuar pala kundër reformës në drejtësi dhe pandëshkueshmërisë.
Për 5 vjet nuk u fol fare për Reformën në Drejtësi, institucionet e reja, injoroheshin fare nga panelistët dhe reporterët llallistë nuk pushonin për të mbajtur fort e krijuar skenën antireformë. Çfarë nuk u bë: u sajuan e hartuan skema që nga Babalja e sulmi ndaj Parlamentit e Kryeministrisë, nga djegia e qendrave të numrimit të votave e dekreti presidencial.
E kur nuk u arrit dot bllokimi i reformës, shkuam të faza e “çmendjes”, dalldisë live nëpër televizione se janë gati të bëjnë gjithçka, madje të përdorin edhe sfurqet e armë të tjera për të ndaluar “planin”, që siç i tha Buschetta Falcone-s: “nëse hapet dosja e politikës, këtu bëhet nami”.
E kjo frikë ka ngjitur, bashkë me lajmet për zhdukjen e “çuditshme” të njerëzve të rëndësishëm që dinin gjëra. Pasi nuk është aspak legjendë se politikanët që kanë bërë namin dhe nuk duan të hapet “kutia e pandorës”, zotërojnë edhe paramilitarë, madje të armatosur që i kanë nxjerrë hapur edhe në aksione të ndryshme, për ta përdorur njësoj si Toto Riina kur vrau Giovani Falconen e Paolo Borselinon: mos e kruani me ne, do të bëhet qameti. Dhe si për model e përmendin një prototip, madje edhe në panelet e darkës herë pas here: Gogoli i 1997-s; “do të kthehet 97-a, do ta bëjmë si 97-a, do ta pësoni si 97-a”, që njerëzve tu ngrihen leshtë përpjetë. Toto Riina, në fakt vdiq i braktisur në një qeli burgu të Parmës…