Mbrëmë tragjikisht në Pejë mbetën të vrarë dy zyrtarë të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Astrit Ademaj dhe Blerand Kadrijaj, për shkaqe ende të panjohura për publikun. Duke qenë se kemi të bëjmë me vrasje trupat e të dy viktimave do i nënshtrohen edhe autopsisë.
Instituti i Mjekësisë Ligjore në një prononcim për Periskopin ka treguar se ky prcoes pritet t’u kryhet trupave të viktimave sot në orësn 15:00.
“Sipas njoftimit te mjekut kujdestar te Institutit te Mjekesise Ligjore, autopsia e dy rasteve te Pejes do te kryhet sot me fillim ne oren 15:00. Ne autopsi do te te merr pjese edhe prokurori i rastit dhe policia”, ka thënë për Periskopin zv/drejtorja e Instutit, Flutra Goga.
Ajo tutje shton se aktualisht nuk mund të shpalosin detaje të tjera rreth rastit.
Nga të shtënat me armë, i plagosur ka mbetur edhe vëllai i të ndjerit Astrit Ademaj. Lidhur me rastin, Policia e Kosovës në raportin 24 orësh ka dhënë detaje shtesë.
“Është raportuar të shtëna me armë zjarri. Njësitë relevante policore kanë dal në vendin e ngjarjes, për shkak të plagëve të marra, viktimat janë dërguar në spitalin e Pejës për trajtim mjekësor.
Nga mjeku kujdestar është konstatuar humbja e jetëve të dy viktimave meshkuj kosovarë, ndërsa viktima e tretë për shkak të plagëve është dërguar për trajtim në QKUK-Prishtinë.
Në lidhje me rastin është konsultuar prokurori i shtetit i cili pas analizimit të rastit ka bërë ri- cilësimin e viktimës së tretë në të dyshuar dhe me vendim të prokurorit, tani i dyshuari është arrestuar dhe është dërguar në mbajtje”, thuhet në raport.
Ndërsa Prokuroria Themelore e Pejës ka deklaruar se tha se hetimet janë duke u zhvilluar në disa pista, ndërsa trupat e pajetë janë dërguar për obduksion.
Nikçi tha se derisa të vazhdojnë hetimet janë të rezervuar në dhënien e informatave pasi rasti është i ndjeshëm dhe mund të dëmtohet procesi i hetimeve.
“Të mërkurën mbrëma si pasojë e të shtënave me armë dy persona kanë vdekur dhe një është plagosur. Vendit të ngjarjes i janë përgjigjur njësitet policore dhe prokurorja e Departamentit të krimeve të rënda.
Sot gjatë ditës kryeprokurori, prokurorja dhe hetuesit policor kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe në mënyrë intensive po zhvillohen hetimet që të zbulohen rrethanat dhe motivet”, ka deklaruar Nikçi.
Dyshimet fillestare, sipas raportimeve janë se dy zyrtarët e PDK’së vranë njëri-tjetrin.