Një aksident i ndodhur mbrëmjen e djeshme në një pallat në zonën e Astirit në kryeqytet, për pak sa nuk është kthyer në tragjedi.
Ashensori i një pallati është shkëputur me një kat por për fat është bllokuar në katin tjetër duke mos rrëshqitur deri në fund.
Në momentin e incidentit, në ashensor kanë qenë 5 persona, tre djem dhe dy vajza, një prej të cilave shtatzënë. Në lidhje me këtë ngjarje ka reaguar edhe policia, e cila njofton se pas marrjes së mjekimit një prej vajzave është larguar për në banesë, ndërsa tjetra ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve. Tashmë një grup hetimor po punon për të mësuar shkaqet e kësaj ngjarje.
“Më datë 12.09.2021, rreth orës 00:05, në Astir, dyshohet se në një pallat është shkëputur ashensori. Si pasojë është dëmtuar shtetasja M. Q, e cila pas marrjes së mjekimit, u largua për në banesë, dhe një shtetase tjetër, ende e paidentifikuar e cila ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve. Vijon puna nga grupi hetimor për sqarimin e rrethanave të ngjarjes”, njofton policia.