Pas më shumë se një vit nga dita e largimit të ish-ambasadorit Donald Lu nga Shqipëria, SHBA përfaqësohet zyrtarisht me ambasadore Yuri Kim në vendin tonë. Kim bëri betimin ditën e djeshme
Në nëntor ishte Komisioni i Jashtëm i Senatit, i cili e aprovoi kanidaturën e saj dhe para tij Kim theksoi se do të inkurajonte Shqipërinë të zbatonte plotësisht reformat në drejtësi, përfshirë kontrollin e figurës së gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe krijimin e strukturave të posaçme për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Yuri Kim është gruaja e parë koreano-amerikane që përfaqëson SHBA në postin e një ambasadori dhe personi i parë nga territori amerikan i Guamit që shërben në një post të tillë. Ajo ka lindur në Kore dhe është rritur në ishullin Guam, një territor i SHBA në Oqeanin Paqësor.
Ajo ka shërbyer në Departamentin e Shtetit si Drejtore e Zyrës së Çështjeve të Evropës Jugore, ka qenë drejtoreshë e Qendrës së Departamentit të Shtetit për Studimin e Diplomacisë, Shefe e Stafit për Zëvendëssekretarin e Shtetit dhe Drejtore e Zyrës për Sigurinë Evropiane dhe Çështjeve Politiko-Ushtarake. (TemA)