Ish-kryetarja e Partisë Demokratike në Sarandë, Manjola Nikollo, ka treguar pse pranoi propozimin për të marrë detyrën e nënkryetares së Bashkisë Sarandë.
Në një deklaratë publike, Nikollo u shpreh se rrugëtimi i saj politik ka qenë i lidhur me Partinë Demokratike për rreth 15 vite, duke theksuar rëndësinë e opozitës si pjesë e funksionimit demokratik.
Ajo tregon se pas kandidimit në primare për kandidate për deputete, nisën konfliktet me deputeten Ina Zhupa, e cila sipas Nikollos, përdori funksionin e saj për të ndikuar tek anëtarësia, madje edhe për të manipuluar procesin e votimit.
“Të gjithë ju që keni qenë bashkudhëtaret e mi, i dini mirë këto problematikat dhe përplasjet e brendshme që lindën në degën tonë. Përplasjet që u bënë për primaret për deputet për qarkun e Vlorës, i cili u kontestua nga unë dhe disa demokratë në heshtje, pasi pati orientim të votës drejt zonjës Zhupa.
Zonja Zhupa arriti të përdorë ndikimin e saj tek anëtarët e PD-së dhe kjo prishi balancën në këtë proces. Pati ndërhyrje siç ishte rasti i Konispolit, i cili doli i pavlefshëm, apo mosdhënia e listave të anëtarëve që kishin të drejtën e votës”, tha ajo.
Nikollo shton se më pas u largua nga drejtuesja e PD-së në Sarandë, ajo u hoq edhe nga grupi i WhatsApp-it të strukturës.
“Duke qenë se unë nuk isha më kryetare e PD-së, për shkak se dhashë dorëheqje për shkak të udhëzimit të dalë nga qendra për primaret, u mor kjo dorëheqje si përjashtim i Manjolës nga këto zgjedhje. Çuditërisht nuk njoftohesha më në asnjë mbledhje dhe asnjë takim të organizuar. Unë jam demokrate” – tregon ajo.
Sipas saj, vendimi për t’u bërë pjesë e Bashkisë Sarandë nuk ka asnjë prapavijë politike:
“Manjola futet në atë bashki si demokrate. Të gjithë më njohin shumë mirë dhe më etiketojnë si Manjola e PD-së. Ajo që iu premtoj demokratëve, veçanërisht për ata demkokratë që i kam zhgënjyer, ju lutem kini besim. Jam Manjola që ju keni votuar dhe mbështetur. Jam zëri juaj në atë bashki. Premtoj që do të dal me kokën lart nga ajo Bashki, ku do të mbroj interesat e qytetarëve. Jam këtu për të dhënë kontributin tim.”, tha Manjola Nikolo.






