Nga 17 korriku, të gjithë zyrtarët kroatë do të vendosen nën një regjim të veçantë kontrolli në Serbi. Lajmi është bërë sot me dije nga Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Aleksandar Vulin.
“Nga sot, të gjithë zyrtarët e shtetit kroat, të gjithë poseduesit e pasaportave zyrtare apo diplomatike do të duhet të shpallin dhe arsyetojnë veçmas vizitën apo kalimin e tyre nëpër Serbi dhe do të vendosen nën një regjim të veçantë kontrolli”, tha Vulin.
Më herët sot kryeministrja serbe Bërnabiç reagoi në lidhje me artikullin e gazetës kroate Jutarnji List se Qeveria kroate nuk do ta lejojë Vuçiçin të vizitojë privatisht Jasenovaçin sot. Bërnabiç e konsideroi veprimin e autoriteteve kroate si “skandali më i madh në historinë moderne të Serbisë dhe Kroacisë”.