Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, ka bërë të ditur bilancin paraprak të situatës së krijuar nga reshjet e dendura dhe përmbytjet që kanë përfshirë vendin prej katër ditësh.
Nga qendra lëvizëse e Emergjencave Civile të Agjencisë Kombëtare të Emergjencave Civile, në një intervistë për Report Tv ai deklaroi Shqipëria po përballet me një front meteorologjik me reshje të pandërprera dhe intensitet rekord, duke shkaktuar përmbytje në zonat lumore dhe në ultësirën perëndimore. Më të prekura deri tani janë qarqet Lezhë, Dibër, Fier, Berat, Korçë, Gjirokastër dhe Vlorë.
“Deri më sot zonat më të prekura janë qarqet e Lezhës, DIbrës, Fierit, Beratit, Korçës, Gjirokastrës dhe Vlorës. Strategjia jonë u bazua në paralajmërim, ;parandalim dhe mbështetje të banorëve të bashkive më të prekura. Nga ana tjetër, menaxhimi i kaskadës së Drinit pavarësisht prurjeve të mëdha anësore, evitoi atë që potencialisht mund të ishte kthyer në një katastrofë në zonën e Shkodrës”,- tha Vengu.
Vengu theksoi se strategjia e emergjencave ishte e bazuar në paralajmërim, parandalim dhe mbështetje të banorëve të zonave më të goditura. Sa i takon bilancit të dëmeve, nuk janë regjistruar evakuime masive, por vetëm evakuime të përkohshme në zonat me rrezik të lartë.
“Fillimisht në bashkitë Lezhë dhe Kurbin dhe më tej në Vlorë dhe Korçë me 52 familje të evakuara në Vlorë dhe 18 familje të evakuuar në Qarkun e Korçës”,- tha Vengu.
Në lidhje me dëmet në banesa, ministri raportoi për afro 1000 banesa të përmbytura, në përmasa të ndryshme.
“Sa i përket banesave, sipas raportimeve kemi padyshim banesa të cilat janë depërtuar nga uji në masa të ndryshme kryesisht në Qarkun e Korçës me 300 banesa, në Fier 25 banesa, në Lezhë 600 banesa dhe në Vlorë 52 prej tyre”,- tha Vengu.
Kreu i Agjencisë Kombëtare të Emergjencave Civile, tha për Report Tv se pjesa më e madhe e familjeve që u evakuuan për shkak të përmbytjeve, tashmë janë kthyer në shtëpitë e tyre.
“Një pjesë e konsiderueshme e tyre, atje ku janë krijuar kushtet optimale për t’u kthyer na banesa, janë kthyer në banesa dhe po merren me pastrimin dhe sistemin e banesave. Pjesa tjetër do të kthehet pasi të krijohen kushtet”,- tha Çako.






