Qarku i Korçës është përballur me problematika të mëdha si pasojë e reshjeve. Për shkak të reshjeve intensive, lumi i fshatit Rrëmenj në Pogradec ka dalë nga shtrati duke pushtuar rrugët e banesat. Pamje apokaliptike paraqitet në zonën e Dardhasit, po në Pogradec.
Rrëshqitja e dherave e bëri të pakalueshme rrugën e fshatit e cila ka pësuar çarje. Rrëshqitje që nuk ka kursyer as varrezat e fshatit, poshtë rrugës.
Prezencë të madhe uji edhe në Progër, ku hyrja e fshatit i ngjan një rezervuari. Mbrojtja civile ka njoftuar se prezencë uji ka edhe në afërsi të banesave në fshatrat Çiflig Shamoll dhe Denas të qarkut Korçë. Argjinatura është çarë edhe në përroin e Oshticës ndërsa prurjet e Lumi Dunavec janë po ashtu të konsiderueshme.
Vetëm fati e ka shpëtuar drejtuesin e një mjeti nga pasojat fatale teksa po kalonte në aksin Qukës-Qafë Plloçë, rruga që i ka kushtuar miliona euro buxhetit të shtetit por që sërish ka pasur rrëshqitje dherash e inertesh. Menjëherë sapo ka dalë nga tuneli, një masiv dheu ka rënë mbi automjet.
LEXO EDHE:
Çarje rrugësh e rrëshqitje dherash në Gjirokastër! 4 lagje të qytetit bllokohen nga moti i keq
Reshjet e dendura të shiut të rëna në orët e fundit nxorën nga shtrati lumin e Vjosës, pranë Urës së Mifolit në Vlorë, duke shkaktuar përmbytje në tokat bujqësore dhe rrezik për banesat përreth.
Niveli arriti deri në 7.1 metra. Deri më tani, raportohet për rreth 40 hektarë tokë të përmbytur. 13 familje me shtëpi pranë shtratit të lumit u evakuuan, ndërsa 14 të tjera rrezikohen. Reshjet intensive shkaktuan rrëshqitje të dherave në fshatin Vajzë të bashkisë Selenicë, duke çarë fillimisht rrugën dhe duke shkatërruar 2 banesa menjëherë poshtë rrugës.
Niveli në rritje i prurjeve në lumin Vjosë, shkaktoi probleme edhe në krahun tjetër të urës së Mifolit, në fshatrat e Fierit Çerven, Kashishtë e Ferras ku tokat bujqësore janë brenda argjinaturës përgjatë lumit. Reshjet me intensitet të lartë dhe të zgjatura në 3 orë pa mbarim gjatë mëngjesit nxorën nga shtrati edhe përroin Lunjë në Lushnje, duke përmbytur disa toka të mbjella dhe serat në Karbunarë, por situata sipas autoriteteve është nën kontroll, pasi hidrovorët kanë punuar me kapacitet të plotë.
DURRËS
Në Durrës, problematika tashmë është në zonën e ish-Kënetës e më konkretisht në bllokun rreth Burgut, ku dje të paraburgosurit u zhvendosën nga kati i parë tek i dyti. Në Durrës, janë 953 banesa, të cilat kanë ujë në oborret dhe në brendësi të tyre dhe janë evakuuar 160 persona të cilët janë sistemuar në 2 shtëpitë e pushimit, në atë të Ministrisë së Brendshme dhe në atë të Mbrojtjes.
LEZHË
Gjate natës në Lezhë dhe Kurbin ka patur reshje në intensitet të ulët, çka ka ndikuar në përmirësimin e situatës. Uji është tërhequr në pjesën më të madhe të zonave urbane. Në Kurbin janë evakuuar rreth 8 familje, ndërsa sipërfaqja e përmbytur në të gjithë qarkun është 3010 ha dhe 150 banesa të rrethuara nga uji. Konkretisht në bashkinë Lezhë janë nën ujë 1010 ha tokë bujqësore dhe 2000 ha në bashkinë Kurbin. Në gjithë qarkun e Lezhës ka rifilluar procesi mësimor.
GJIROKASTËR
Aksi nacional Gjirokastër- Kakavijë është i bllokuar në zonën e Kordhoçes, përballë fshatit Lazarat. Ne vendngjarje janë punonjësit e firmës mirëmbajtëse të cilët po punojnë për hapjen e rrugës. Gjithashtu ka bllokim te rrugës Gjirokastër-Valare në vendin e quajtur Ura e Aznakut.
ELBASAN
Në bashkinë Elbasan janë përmbytur 5 banesa në zonën e uzinës 12 te ish-Kombinatit Metalurgjik si pasojë e bllokimit të kanalit kullues. Raportohet edhe për disa shtëpi të përmbytura në Belsh.





