Muli u ul me Lelon të diskutojnë detajet e fundit nga skenari i 20 shkurtit.
-Duhet të gjejmë ndonjë gjë simbolike që na lidh me 20 shkurtin e 91, i tha Muli.
-E vetmja gjë simbolike ishte rrëzimi i bustit dhe tërheqja e tij zvarrë deri tek studentët, tha Lelo.
-Epo atëherë ashtu ta bëjmë. Të bëjmë një bust të Edi Ramës e ta tërheqim zvarrë deri poshtë ballkonit të Doktorit.
Ti themi: Merre ta sollëm!
-Nuk ka kuptim se duket fals, tha Lelo. Por mund të bëjmë diçka të ngjashme.
Ideja është që Edi Rama është i vdekur tani që ne u bashkuam.
Ai është ka asnjë shpresë. Madje ka thirrur me urgjencë Blinkenin se e ka zënë paniku, kërkon ta qetësoj ai.
Për këtë meritë kryesore ka Gaz Bardhi dhe shokët e vet.
Ideja ime është të marrim Gaz Bardhin dhe deputetët e tij dhe para se të fillojë mitingu, të parakalojmë tek rrugica me kokën lart nga ballkoni.
Doktori të dalë lart e t’i përshëndesë. Kjo i ndez turmat dhe kur të shkojmë në shesh ata do shpërthejnë.
-Shumë mirë të shkoi në mendje, tha Muli. Është dhurata më e mirë që mund t’i bëjmë Doktorit atë ditë.
Pastaj kur të mbarojmë marrim gjithë njerëzit dhe i kalojmë poshtë ballkonit.
-Mirë është të lëvizin dhe të kthehen disa here, tha Lelo, që të duken shumë.
-E kemi në dorë atë gjë, tha Muli. Mos u mërzit.
-Dhe një këngë na duhet për ballkonin, tha Lelo. Ta kthejmë në simbol të revolucionit.
-Mirë do ishte, tha Muli. Diçka që lidhet me burgosjen e Doktorit.
-Do të japë një version timin, tha Lelo, se e kam menduar. Dhe ja tregoi:
Shqipëri e gjorë, ç’pret akoma fjetur
Eja tek rrugica e lart ngrije kokën
Shikoje të ardhmen me sytë e Doktorit
Nga ai ballkon, ne shikojmë gjithë botën
Mos u tremb nga Blinken e nga Soros
Mos u tremb nga mafia botërore
Nga ai ballkon nis përmbysja e madhe
Nga ajo rrugicë ka vetëm fitore
Kalo aty dhe ngri kokën nga ballkoni
Aty ku luani jonë është në zinxhirë
Zgjohu Shqipëri, tek ballkoni është shpresa
Nëse do të jesh krenare dhe e lirë