Antena brënda Familjes
Muli ka dy ditë që ka marrë masa që protesta për TikTok-un të bëhet në sheshin Skënderbej.
Ka marrë masat për tribunën dhe gjithë vendin ku do mbahet.
Por sot, Doktori, duke folur për protestën, e ndryshoi dhe e bëri para Kryeministrisë.
Zonja Karo u përpoq ta korrigjonte, por ai e vendosi te Kryeministria.
Muli pyeti se si mund të zhvendosej skena para Kryeministrisë.
— Na ka zënë Bashkia bulevardin për Ditën e Verës, tha Lelo.
Kam frikë se nuk i heqin as nesër.
— Aq më mirë, tha Muli. Ua pushtojmë skenën.
Tani ato janë të popullit, nuk janë më të Erion Veliajt.
— Dakord, tha Lelo, por duhet të marrim masa se dhe mund t’i heqin me vonesë, aq sa ne nuk na premton koha të vëmë tonat.
— Nuk i lëmë t’i heqin, tha Muli, i bllokojmë.
— Po ky Edi Rama nuk po e mbyll akoma TikTok-un, tha Lelo.
Madje ka thënë do ta transmetojmë dhe mitingun kundër TikTok-ut në TikTok, pastaj do ta mbyllim.
— Ky qenka kurth, tha Muli.
Ne mezi na mbaroi TikToku i listave, na bëri me zemër.
Tani të merremi dhe me TikTok-un e Ramës.
Të guxojë mos ta mbyllë, se i djegim Kryeministrinë!
— Domethënë, i tha Lelo, në fillim do protestojmë pse nuk e ka mbyllur, pastaj pse do ta mbyllë?
— Pak a shumë, tha Muli.
Të shikojmë ç’do bëjë dhe të jemi të përgatitur për të gjitha opsionet.
— I vetmi rrezik është, po qe se nuk na e mbyll deri nesër, nuk na vijnë njerëzit në protestë, tha Lelo.
Ta kishim lënë më 14 mars sot, të paktën të dukeshin protestues këta që shëtisin. /Tema