Pas skenave ku Rama, së bashku me Vjosën, bisedojnë me Presidentin Trump, Muli u shqetësua shumë. Thirri Lelon të ndanin të parin lajmin se çfarë kishin folur.
— Unë mendoj të themi se Trump i ka thënë Ramës: “Ti kujdes, se kjo është hera e fundit që të toleroj. Po nuk u solle mirë me Doktorin, ti lësh vendin dhe të krijosh qeveri teknike. Bordi i Paqes do të rrëmbejë si Maudron.”
— Rama ka tentuar ta sqarojë se nuk është e vërtetë, por ai ia ka prerë shkurt: “Vitin tjetër, kur të vij në Shqipëri, mos të të gjej aty.”
— Kjo duhet ndarë me shpejtësi, tha Muli.
— Po t’ia japim Çim Pekës, tha Lelo, se vetëm ai mund t’i thotë këto.
— Për t’i thënë, i thotë edhe Kelevisi, nuk ndryshon shumë, tha Muli. Rëndësi ka t’i transmetojnë. Se tani Kelevisi ka burim një shokun e McGonigalit dhe të gjithë besojnë se ai e di nga brenda.
— Po mirë, tha Lelo. Të bëjmë edhe një version tjetër që të duket më i besueshëm. Ky Rama i thotë që Jack Smith-i arrestoi Thaçin nga inati jot, dhe Vjosa Osmani i thotë: “Jo, e arrestoi prej teje dhe Vuçiçit se donit të ndanit Kosovën.” Dhe Trump-i që thotë: “Do vendosim paqe mes Shqipërisë dhe Kosovës.”
— Jo, se duket si tallje dhe mërzitet ai, tha Muli. Por të themi që Vjosa i tha se ky dhe Vuçiçi duan të shkatërrojnë Kosovën dhe vetëm Sali Berisha është me ne.
— A, po, ke të drejtë, tha Lelo.
Pastaj ra pak heshtje dhe Lelo e pyeti:
— Ore, po ky LaCivita gjallë është apo sapo mori lekët e iku?
— Lëre, mos ma kujto, tha Muli, se ka ardhur kësti i dytë.






