Ka mbi dhjetë ditë që Salianji është zhdukur nga shtypi dhe Muli është futur në makth.
Pyeti Lellon se çfarë bëhet me të dhe pse nuk del më në televizor.
– Ai dilte në tre emisione njëherësh, tha Muli, tani është zhdukur.
– E ka vrarë shumë kjo puna e mbjelljes së flokëve dhe hundës, tha Lelo.
Kam frikë se do bëjë ndonjë akt ekstrem.
– Çfarë, i tha Muli? Do vrasë veten?
– Jo, jo. Ka shumë mundësi që është duke kërkuar një klinikë t’ia shkulin prapë flokët dhe t’ia bëjnë hundën siç ishte.
Pastaj të hedhë shtypin në gjyq që shpifi se ai ka mbjellë flokë në burg.
– Po atë e pranoi nëndrejtori i Ulsiut, tha Muli.
– Aq më keq, do ta quajë dhe atë shpifës, tha Lelo.
– Po kjo shkulja e flokëve duhet të jetë më e vështirë se mbjellja, tha Muli.
Se kur mbjell, të shkulin nga poshtë e t’i mbjellin lart, por të shkulësh nga lart duhet të jetë dhimbje e fortë.
– Dhimbje më të fortë se dëmi që i bëri burgut të tij, që u shëmbëllye me mbjellje flokësh, nuk ka, tha Lelo.
Ndaj ai është i vendosur ta bëjë.
– Po me këtë rast të shikojë dhe punët e veshëve, tha Muli.
Ato t’i drejtojë, se duket sikur dhe ato i ka pas ashtu.
– Nuk e di, po me flokët e ka gjithë inatin, tha Lelo.
Është i vendosur t’i shkuli të tëra, vetëm t’i quajnë burgun./Tema/Antena