Pas një pauze dyjavore, pavarësisht entuziazmit që ka ngjallur fitorja e Trump-it, Muli ka mbetur i paazhornuar me emërimet e reja të tij.
Sot mori vesh që krushkun e ka emëruar ambasador në Francë. Bëhet fjalë për babain e dhëndrit, që do të investojë në Sazan. Ai thirri me urgjencë Belon dhe Fatmir Mediun.
-Më duket se nuk po e bëni detyrën si duhet, – u tha. – Ju më thatë që Trump-i e kishte shmangur Kushner-in nga pushteti sepse kishte shkuar të investonte pa leje në Shqipëri.
-Mua kështu më thanë, – tha Mediu. – Madje ma konfirmoi edhe Çim Peka, që e kishte burim të dorës së parë.
-Unë nuk kam thënë gjë, – tha Belo. – Nuk jam i azhornuar për këto emërimet e fundit, se nuk më intereson niveli i ambasadorëve. Vetëm për ambasadorin që do të emërohet në Shqipëri jam i interesuar. Sidoqoftë, do të flas sonte me Trump-in dhe do t’ia them.
-Të lutem, thuaji të bëjë një deklaratë që Doktorin nga gjykata e liroi ai, – tha Muli. – S’ka rëndësi se s’ka bërë gjë, po ta thotë një fjalë. Po e morëm atë fjalë, nuk na ndal më askush.
-Patjetër, do t’ia them, – tha Belo. – Por atë deklaratë mund t’ia marrim dhe ndonjë tjetri, s’është problem.
-Na duhet shumë, – tha Muli, – sepse demokratët gëzohen më shumë që ta ketë liruar Trump-i, sesa që të fitojë pafajësinë.
-Dakord, – tha Belo. – Do përpiqem. Por lidhur me këtë Kushner-in, mendoj se ka përgjegjësi dhe Çim Peka, që nuk i ka informuar amerikanët në kohë.