Siç është bërë zakon nga Doktori, sa herë Shqipëria fiton, ai bën deklaratë që Edi Rama u nxi në fytyrë kur bëri gol Shqipëria.
Dhe sot, Muli duhet të bëjë këtë deklaratë, por nuk po gjen dot ndonjë video të Edi Ramës, pasi ai nuk ka postuar video duke parë ndeshjen.
Thirri Lelon, mos kishte gjetur gjë ai.
— Nuk kam gjetur, — tha Lelo. — Është mbyllur në bunkier në Surrel dhe e ka parë ndeshjen vetëm, që të mos ta shikonin të tjerët që u mërzit kur bëri gol Shqipëria.
— Po si mund ta nxjerrim si lajm? — i tha Muli.
— Do nisim nga deklaratat e Vuçiqit, — i tha Lelo. — Vuçiqi tha që nuk e zuri gjumi gjithë natën pse e mundi Shqipëria. Edhe Edi Rama sot u pa i lodhur dhe i përgjumur te takimi me arkitektët. Kjo do të thotë që edhe Edi Ramën s’e ka zënë gjumi nga mërzitja pse fitoi Shqipëria.
— Po sikur ai të thotë që s’më ka zënë gjumi nga gëzimi?
— Këtë s’e beson njeri, — tha Lelo. — Ai nuk gëzohet as kur fiton zgjedhjet vetë, jo të gëzojë kur fiton Shqipëria. Ai ngel pa gjumë vetëm nga mërzitja. Ndaj duhet ta lidhim që ia ka folur gjithë natën me Vuçiqin, i ka qarë hallin për humbjen dhe i ka kërkuar ndjesë se Manaj është nga Lushnja, dhe aty ka bërë pasaportizimin edhe Silvinjo. Pas kësaj i ka premtuar se do flasë me zonjën Balluku t’ia heqë pasaportizimin atij Silvinjos nga Lushnja dhe ta çojmë në Kavajë, që të quhet opozitar.
— D.m.th. unë të dal e të them që Edi Rama është mërzitur që Shqipëria i bëri një gol Serbisë? — tha Muli.
— Patjetër duhet të dalësh. Por sikur të qe bërë edhe i dyti, me siguri do jepte dorëheqje. Por s’patëm fat./Antena/Tema