Muli mbërriti sot në hyrje të tunelit të Llogarasë për ta denoncuar si një vepër që nuk i shërben popullit, po oligarkëve.
-Duhet të shkojmë të dokumentojmë cilët janë oligarkët për të cilët u ndërtua tuneli, i tha Lelos.
-Më mirë rrimë këtu para tunelit, se po na panë pas tunelit, do dalim dhe ne me vila, i tha Lelo.
-Po këtu para çfarë të bëjmë?
-Këtu shikojmë makinat që hyjnë dhe filmojmë makinat e shtrenjta, ato janë të oligarkëve.
Të lirat janë të popullit.
-Dakord, tha Muli.
Dhe kështu filluan të shikojnë gjithë veturat që hynin.
Shumica në fakt ishin të vjetra.
Njëri nga policët që ishte aty afër afrohet dhe i flet Mulit.
-Zoti ish-shef, i tha.
Çfarë po bëni, a mund t’ju ndihmoj?
-Patjetër, i tha Muli.
Na duhet të dimë cila është makina më luksoze që ka kaluar sot këtu, se duam të denoncojmë oligarkët që kalojnë në tunel.
-Nuk e di, tha polici, po ai Range Roveri që është parkuar aty deri më tani është më luksozi.
Por nuk di kush e ka.
-Ai është timi, i tha Muli, por nuk duhet llogaritur, se unë nuk pranoj të kaloj në tunelin e Edi Ramës.
I bie më mirë nga Llogaraja, se nuk jam oligark.