Muli thirri Lelon për të diskutuar se si mund të shpërndanin sa më mirë lajmin për vizitën emocionuese të Doktorit në spital te Agron Gjekmarkaj.
-Nuk kam ndonjë detaj interesant për të ndarë, tha Lelo. Nuk isha aty.
-Ishte shumë emocionuese, tha Muli.
Sapo hymë në pavijon, një mjek na doli përpara dhe tha:
– Është hera e dytë, Doktor, që ju takoj në këtë spital.
Hera e parë ishte kur u vra Azem Hajdari.
Doktori, i emocionuar, tha:
– Gjekmarkaj është i pavdekshëm!
E tha me bindje, sikur skena e Azemit po përsëritej.
Pastaj mori më shumë energji dhe vrapoi drejt dhomës.
Para se të hynim, më tha:
– Bëj gati celularin për foto.
Por sapo arritëm te dera, kryeinfermieria na ndaloi.
– Prisni pak, tha ajo, sa të shtrihet Agroni, se u bë gati të ikte.
Pritëm pak. Kur hymë në dhomë, Doktori mori një pamje të dhembshme në fytyrë, u afrua te Agroni dhe i tha:
– Mbahu! Edhe katër muaj dhe bie ky regjim.
Agroni aprovoi duke lëvizur qepallat.
Doktori vazhdoi:
– Kjo është dhuna më e pashembulltë që është përdorur kundër opozitës në ndonjë miting në historinë e Shqipërisë.
Do ta denoncojmë! Ky është fundi i tyre. Edhe katër muaj jetë kanë.
Pastaj u kthye nga Agroni:
– Do durosh deri nesër. Nuk mund të kalojnë kaq lehtë.
Nesër shkon në shtëpi, sonte ke nevojë për trajtim.
Agroni e aprovoi përsëri me qepalla.
Në krah të tij rrinte Tritani, i cili psherëtiu:
– Çfarë fati kanë ca! Të tjerë luftojnë, të tjerë plagosen.
Kurrë nuk pata fat të bëhesha një herë hero.
Muli e shoqëroi me një ton dëshpërues:
– As unë. Sa herë dua të rrihem në Parlament, më hapin rrugë dhe nuk më rreh asnjë.
Gjithmonë dal i humbur pastaj.
Tritani shtoi me seriozitet:
– Duhet të vendosim rregull në këtë punë.
Duhet të bëjmë një grafik kush e ka radhën për të qenë hero.
Gjirokastra nuk ka pasur të vrarë që nga koha e Çerçizit.