Siç ishte bërë e njohur zyrtarisht, edhe nga Klevisi edhe nga mediat e PD-së, sot, më 20 janar, Rama do të arrestohej nga FBI. Sot, shumë demokratë të shqetësuar i shkruanin Mulit se kur do të ndodhte operacioni.
— Çfarë t’u themi? — i tha Muli Lelos.
— E vështirë, — tha Lelo. — Por mendoj se një justifikim duhet gjetur. Thuaj që nuk u koordinuam si duhet me FBI-në, se Gimi i Puros, që e mori përsipër, nuk arriti të fliste dot me një komshi që ka pasur në SHBA, që njeh shoferin e një senatori, që do t’i lidhte me FBI-në t’u tregonin shtëpinë në Surrel.
— E nuk e njohin demokratët Gimin e Puros, — tha Muli. — E dinë djalin e sekretarit të Enver Hoxhës. Mos na ngatërro kot.
— Po atëherë t’u themi që La Civita nuk arriti dot të marrë gjithë këstet, se vetëm 750 mijë i kanë arritur dhe do siguri që ne do t’ia çojmë të gjitha. Kështu mund t’i mobilizojmë të mbledhin lekët.
— Mos ua kujto më atë La Civitën, se ata janë gati të shpallin edhe Trumpin armik që s’po e arreston, — tha Muli.
— Atëherë t’u themi se sot ishte kohë e keqe, frynte erë dhe nuk uleshin dot në Surrel, se të rreh era e Dajtit.
— S’më duket se e hanë atë gënjeshtër, — tha Muli. — Se ata kanë parë operacionin e Maduros. Plus, ky do shkojë edhe në takim me të.
— Atëherë t’u themi se kemi sinjale që pas inaugurimit do ta arrestojmë. Të presim njëherë, se Trumpi ka thënë: “Më duhet të firmos edhe këtë Bordin e Paqes, pastaj ta arrestoj.”
— Kjo po, — tha Muli. — Kjo na e shtyn edhe një muaj.






