Pas përfundimit të asaj që Muli e quajti “xhindosja civile”, një tërbim tre orësh në Tiranë, ai vendosi të dekorojë disa nga krerët e kësaj lëvizjeje.
Dekoratën e parë ia dha Neritan Nallbatit, i cili u përlesh me policinë duke e sharë nga nëna.
Muli e nderoi për “trimëri dhe kulturë të lartë demokratike në përballjen me armikun”.
Dekoratën e dytë e mori Klevis Balliu.
Ai u shpjegoi qytetarëve se ata kishin të drejtë të bllokonin rrugën, ashtu siç bllokohet për festat apo maratonën e Tiranës.
Për këtë zbulim, Muli e dekoroi për “veprimtari krijuese në justifikimin e xhindosjes civile”.
I treti ishte Gaz Bardhi.
Ai kundërshtoi policinë që tentoi ta pengonte të kalonte në vijat e bardha.
Për këtë, Muli e dekoroi për “shembullin e lartë të edukatës qytetare dhe sjelljes urbane në kryeqytet”.
I katërti ishte Belind Këlliçi.
Ai u mburr se nuk lëvizi nga vendi, edhe kur u lag nga uji.
Për këtë, Muli e dekoroi për “shpikjen e formave të reja të rezistencës demokratike kundër diktaturës”.
I pesti ishte Oerd Bylykbashi.
Ai, duke u përballur me policinë, u tha se do t’u fuste “shejtanin në bark” dhe nuk do t’i linte të qetë kurrë.
Pas kësaj, policët mbetën të hutuar.
Për këtë, Muli e dekoroi për “forma të reja të ndëshkimit ligjor përmes meditimit”.
-Po ndoshta duhet një dekoratë edhe për veten dhe për Tedi Blushin, i tha Lelo.
Blushi hipi në tank si Vojo Kushi, ndërsa ti kërcënove drejtorin e policisë se do ta shtypësh atë.
-Heronjtë i marrin dekoratat pas vdekjes, tha Muli.
Nuk pranojmë të dekorojmë veten sa jemi gjallë.