Muli po diskutonte sot se si duhet t’ua shpjegojnë demokratëve faktin që Salianji kishte dhjetë herë më shumë shikues online live se sa Doktori në Korçë.
-Ka një shpjegim – tha Muli. Ne kishim shpërndarë një qarkore ku thuhej se ata që shkojnë në takimin e Salianjit janë njerëz të Benet Becit dhe armiq të PD.
Nga pikëpamja politike kjo është korrekte, se ashtu ishin. Nga ana mediatike i kemi dhënë atij një favor, pasi gjithë PD filloi të shikojë takimin e Salianjit për të kapur tradhtarët.
Kjo nuk tregon se Salianji ka shumë mbështetës dhe shikohet më shumë se Berisha. Kjo tregon se PD është më vigjilente se kurrë dhe i ka sytë te armiku i ri i saj, që mos t’i marrë ndonjë demokrat.
-Shpjegim shumë interesant – tha Lelo. Por puna është se shikueshmëria zgjati deri në fund.
-Ky është kurth i Salianjit – tha Muli. E kuptoi që po e mbikëqyrnim dhe largonte kamerën nga salla e filmonte nga larg, që të mos dukeshin fytyrat e njerëzve. Demokratët më raportonin se po torturoheshin të gjenin ndonjë fytyrë nga afër, po s’po e afronte. Me këtë taktikë i ka mbajtur lidhur deri në fund të takimit.
-E kuptova – tha Lelo. Pra ne duhet të nxjerrim në pah vigjilencën revolucionare të PD kundër armiqve të brendshëm.
-Po – tha Muli. Kjo është arsyeja që njerëzit kanë sytë nga salla e Salianjit. Kurse te Doktori s’kanë çfarë shikojnë, se janë të sigurt që janë të gjithë demokratë që këpusin zinxhirë.






