Muli sot bëri përmbledhjen e shpenzimeve për LaCivitën dhe Paul Manafort-in, që erdhën për tre ditë në Tiranë.
Thirri Lelon të rakordonin shpenzimet.
– Shpenzimet e hotelit i ka Mediu, tha Lelo, se e kishte zgjedhur vetë hotelin dhe tha se i ka bërë një nder atij të hotelit dhe nuk do t’i marrë para.
Do t’i bënte një foto me LaCivitën.
– Shumë mire, tha Muli.
Edhe drekat i kemi ndarë, pasi i kanë paguar këta që bënë foto me LaCivitën.
Çim Peka i ka dhënë dhe një puro, tha Muli.
D.m.th s’kemi dalë keq dhe me ushqimin.
Ndërresa kishte marrë për tre ditë, nuk është problem.
– Po me biletat e avionit, i tha Lelo?
– Aty kam bërë një kombinim të forte, i tha Muli.
I thashë do ta bëjmë biletën e kthimit me një qëndrim një ditë në Milano, me qëllim që ta çonim në takim në Brescia, mos të përdorim biletë kastile.
Kështu që e kemi Tiranë–Milano–Miami, me një natë qëndrim në Milano.
Këtu dolëm me kursim. Tani që flasim, ai është ulur në Miami. Shpëtuam.
– Ishte një situatë e vështirë, i tha Lelo. Ja dolëm me sukses.
Tani ai do na udhëzojë online dhe ashtu jemi më të qetë.
Edhe Klevesit i dha udhëzime si t’i bëjë edhe më inteligjente ato videot me ushqim.
D.m.th të ketë më shumë kontrast mes një pjate para 11 majit dhe një pjate pas 11 majit.
E vetmja pikë e parealizuar e vizitës ishte mos-takimi me Gjuzin.
Na kërkoi disa herë të takonte Gjuzin meqë kishte dhënë idenë për koalicionin e madh, por ja shmanga duke thënë që ai është 24 orë në takime me popullin dhe na e ka plagosur një mbështetës i Ramës.
Kështu deshën ta vrasin edhe presidentin Trump para zgjedhjeve, i thashë, por ai triumfoi.
Tundi kokën i menduar.
– Zoti e ruajt zotin Gjuzi, tha.