Sot Lelo i tërhoqi vëmendjen Mulit të jetë më i përmbajtur në Facebook dhe të mos i shajë njerëzit nga nëna. Kjo, sipas Lelos, nxit shumë mllef ndaj tij si figurë kryesore e PD-së.
— E kam bërë qëllimisht, — tha Muli. — Kam vënë re kohët e fundit që shqiptarët janë shumë të mllefosur me atë burrin, dhe e sulmojnë vazhdimisht. Po mendoja një ditë si t’i dal përpara kësaj të keqeje të madhe dhe si të bëhem unë rrufepritës i Doktorit, që rrufetë e sharjeve dhe mallkimeve të bien mbi mua. Dhe më shkoi mendja tek ky stil: të bëhem agresiv, t’i shaj nga nëna, t’u them koqe, kandarim, gomar, idiot e gjëra të tilla, duke u shtuar ‘si e ke mamin’.
— Dhe rezultatet më duken pozitive. Tani shumica e njerëzve më shajnë më shumë mua se sa Doktorin.
— E vërtetë, — tha Lelo, — por ti thjesht e ke mundur Doktorin në garën se kush shahet më shumë, nuk është se ia ke ulur atij sharjet. Ke shtuar të tuat. Ndaj duhet të gjejmë ndonjë mënyrë tjetër. Tani thjesht Doktorin e shajnë edhe për ty, se i thonë: “ai vartësi jot na shan nga nëna.”
— Tani e kam të vështirë të tërhiqem, — tha Muli. — Do dukej paburrëri. Do thonë ‘u tremb nga të sharat në Facebook’.
— Po të shpikim ndonjë gjë tjetër që të tërhiqet vëmendja nga këto të sharat nga nëna. Të krijojmë idenë që e ke bërë pa dashje.
— Po të sharat nuk bëhen pa dashje, — tha Muli, — se nuk janë si pordhët e Faros, që i shpëtojnë. Ato thuhen me vetëdije.
— Po sidoqoftë mund të sajojmë ndonjë gjë. Fjala vjen, të themi se kur u thua ‘Pyet mamin çfarë thotë’, ti nuk e ke fjalën që i shan nga nëna, por që ke respekt për mendimin e mamit të tij.
— Kështu po, jam dakord, — tha Muli. — Por këto sqarime duhet t’i bëni ju, që të mos duket sikur jam i shqetësuar.
— Patjetër që ne, — i tha Lelo. — Problemi është po na thanë ‘pyet Mulin çfarë mendon’, nuk dimë çfarë t’u themi.






