Pas zhurmës që pasoi ftesa personale e Trumpit për kryeministrin për të marrë pjesë në Bordin e Paqes për Gazën, Muli vendosi që së bashku me Lelon t’u bënin një sqarim demokratëve për t’i qetësuar ata.
– Janë tronditur shumë demokratët, tha Muli. Njëri prej tyre më shkroi sot që Trumpi e kaloi vijën e kuqe më keq se Salianji. Po vetëpërjashtohet nga aleanca jonë.
I thashë mos e humb shpresën se është lojë e madhe.
Por na duhet t’u japim ndonjë shpjegim.
– E kam menduar, tha Lelo. Duhet t’i bindim se e gjitha është një lojë e Trumpit për të mos e arrestuar Ramën me helikopterë të forcave Delta, se ata nuk e kalojnë dot oqeanin dhe nuk sjellin dot luftanije në Adriatik vetëm për të, se kushton shumë.
Për këtë është bërë një plan i hollësishëm që ai të merret me Air One, të ulet në Uashington gjoja për mbledhje dhe aty e arrestojnë. Pastaj thërrasin Doktorin, i kërkojnë ndjesë për “non grata” dhe e bëjnë kryeministër.
– E besojnë këtë, tha Muli?
– Ata besonin që do vinin helikopterë, mos të besojnë këtë që është e sigurt që do shkojë në Uashington.
– Dakord, tha Muli. Po duhet të jemi shumë këmbëngulës në shpjegim. Duhet ta thonë të gjithë në një zë këtë që Trumpi e ka ftuar ta arrestojë në Uashington. Kështu e shtymë dhe një miting tjetër, se ky i 24-ës iku./ANTENA/Tema






