Pas pozimit të Doktorit me një kapele sherifi, që ia ka kërkuar LaCivita, Muli u dërgoi ftesë drejtuesve politik të qarqeve, që në fushatë, të dalin me një kapele sherifi.
Ideja është që pas zgjedhjeve në Shqipëri, të ketë kuptim shprehja “nje sherif i ri në qytet”.
Meqë janë 12 qarqe, duhen 12 kapele sherifi.
– Kam vetëm një problem, tha Muli.
Në ato qarqe ku drejtuesja politike është femër, a mund të mbajë kapele sherifi?
– Patjetër, tha Lelo. Kapela sherif është institucion; nuk ka lidhje me gjininë, por ka të bëjë me burrat e fortë.
-Po kur te shkojmë në fshat mund ta mbajmë, apo vetëm në qytet?
-Patjetër dhe ne fshat.
– Albanës i shkon kapelja e sherifit, tha Muli, por nuk di a i shkon kësaj Ina Zhupës në Sarandë.
– S’ka problem, se ajo është Qarku i Vlorës dhe e mban Bujari kapelen, tha Lelo.
– Këto kapelet, t’i themi këtij LaCivita të na i blejë për ne në SHBA, tha Muli, se këtu nuk gjen.
– Patjetër, tha Lelo. Të shohim çfarë ideje tjetër ka.
Se kjo vërtet mund të na bëjë viralë, por mund të na bëjë edhe qesharakë.
– Jo jo, tha Muli, nuk bëhemi qesharakë sepse themi se është ide e amerikanit.
– Një favor e kemi, tha Lelo, se kemi deklaruar që nuk do t’i japim lekë, kështu që edhe nëse del ndonjë ide idiote, do themi “hajt mo, s’e pa lekë e morëm, nuk harxhuam para.”
– Doktori gezonte, tha Muli. Dukej si një kaubojs 20-vjeçar.
– Dakord, tha Lelo. Zakonisht, ato kapele i mbajnë njerëzit kur janë të rinj dhe pendohen kur plaken, kurse Doktori e ka quajtur shfaqje të huaj kur ka qenë i ri dhe është penduar që s’ka mbajtur tani në pleqëri.