Muli u bë xheloz dje kur shikonte Faten në rolin e përkthyesit tek emisioni i Çim Pekës, me LaCivitën.
Aq më shumë u bë xheloz që Fatja nuk përkthente fjalitë që thoshte LaCivita, por i binte shkurt ato që donte ai, duke përfituar nga fakti që Çimi nuk kuptonte.
Pra, donte mos ta dëshpëronte aq shumë Çimin kur thoshte që ai sondazhist ishte i Trump-it dhe ai e kishte shok.
– Ky Fatja na ka nderuar dje, i tha Lelos.
Për një moment pata frikë që rolin e përkthyesit do ta bënte Gimi i Puros.
Thashë, eh si vajti kjo punë: djali i sekretarit të Enver Hoxhës t’i përkthejë Çim Pekës, antikomunist nga Hasi
Por Fatja na shpëtoi, e mori përsipër vetë.
Dhe i redaktonte ato pjesët e sikletshme.
– E pashë, e pashë, tha Lelo.
Ishin të gjithë personazhet e Antenës në një tavolinë, vetëm ti mungoje.
Por mendoj që Fatja do t’ia tregojë gjyqtares çështjen që ka njohur atë shokun e Trump-it, jo se i plas shumë për Çim Pekën.
Gimi i Puros, po. Ai do t’i tregojë që nuk është bllokmen komunist, por njeri i thjeshtë dhe mik i Çim Pekës.
Plus kësaj, ai ndjehet keq që Fatja i ka marrë njerëzit e Trump-it në SHBA, dhe ai ka humbur lidhjet që ka pasur aty.
– Sidoqoftë, fakti që ai di anglisht nuk mund të shërbejë si arsye që ai ta privatizojë LaCivitën.
Ai duhet të dalë edhe me ne të tjerët në foto, jo vetëm me këta që dinë anglisht.
Se vetëm kështu demokratët e vërtetë e kuptojnë që është yni.
– E di, tha Lelo, por ai e di që Mediu është si Trump-i, meqë është kryetar i Partisë Republikane, kurse kryetari i Partisë Demokratike për ta është komunist, se kështu janë të ndarë në SHBA.
Madje edhe kur i thashë unë që Doktori ka qenë komunist dikur, më tha: normal, gjithë demokratët komunistë janë.
Dhe kur i prezantova Gimin e Puros, i thashë që e ka pasur babën sekretar të Enver Hoxhës, “normal” tha.
Nga kjo përfiton Fatja, që ai akoma s’e di si është puna e demokratëve dhe republikanëve këtu.
– Epo qenka më rëndë puna, tha Muli.
Domethënë, Fatja na paska vjedhur të djathtën.
Po Edi Ramën, çfarë e di ai?
– Edi Ramën e dinte trumpist, se e shikonte nga veshja dhe stili.
Pastaj i shpjeguam që është i Sorosit.
Aty pastaj u qetësua.