Barazimi 4-4 në Gjykatën Kushtetuese për pezullimin e Belinda Ballukut, që krijoi më shumë amulli sesa sqaroi, do të ishte shmangur nëse në institucionin që “thotë fjalën e fundit” në vend, një vakancë do të ishte plotësuar në kohën e duhur.
Që prej shtatorit të vitit 2024, kur ish anëtarja Elsa Toska dha dorëheqje të menjëhershme, Kushtetuesja nuk e ka pasur të plotë trupën prej 9 anëtarësh, e domosdoshme për të bërë të mundur gjithnjë një vendimmarrje e për të shmangur barazimin, si në rastin fundit të çështjes Balluku.
Por pse ka zgjatur plot 17 muaj procedura për zëvendësimin e Elsa Toskës, që duket ende larg plotësimit?! Kur gjyqtarja kushtetuese dha dorëheqjen papritur, pakkush e kishte menduar se zëvendësimi i saj do t’i hapte rrugë një krizë institucionale. Organi që e kishte emëruar, Kuvendi, hapi garën për gjyqtarin e ri, duke deklaruar se mandati do të zgjaste deri në vitin 2028, që u konsiderua si zgjatje, dhe që do të prishte të gjithë procedurën e ripërtëritjes së vetë Gjykatës Kushtetuese.
Edhe pse aplikuan 10 kandidatë, procesi dështoi, dhe Kuvendi priti vendimin e Gjykatës Kushtetuese për sqarimin një herë e mirë të mandateve të saj, vendim i cili erdhi në tetor 2025. Kuvendi rishpalli garën më 10 dhjetor dhe në mbyllje të procedurave të aplikimeve ishin 9 kandidatët që shfaqen interesin për t’u bërë gjyqtarë Kushtetues.
Mes pretendentëve juristë si Genci Gjoncaj, sekretar i përgjithshëm i Kuvendit, Naureda Llagami, ish kryetare e KLGJ-së, apo edhe emra juristë të njohur si Jordan Daci apo Arta Vorpsi dhe dy ish anëtarët e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, Lulzim Hamiti dhe Roland Ilia.
Emrat iu përcollën Këshillit të Emërimeve në Drejtësi për verifikim dhe pikëzim dhe anëtari i 9-të i Gjykatës Kushtetuese është në pritje të këtij institucioni.
Edhe në KED, duke pasur parasysh rastet e mëparshme, procedura zgjat pasi verifikimi përfshin mbledhjen e informacionit nga një numër i madh institucionesh (ILDKPKI, Prokuroria, Policia e Shtetit, KLGJ, KLP, AKSIK, etj.), që shpesh kërkon kohë shtesë; kontrollin e pasurisë, figurës dhe integritetit profesional, një proces i ngjashëm me vetingun e magjistratëve.
Në fund, Parlamenti, nëse bën 84 vota, do të dërgojë në Kushtetuese një nga 3 emrat të vlerësuar me më shumë pikë, përndryshe automatikisht gjyqtar do të bëhet kandidati që ka marrë më shumë pikë nga KED.
Në KED ndërkohë janë duke u vlerësuare edhe kandidaturat e paraqitura në Presidencë për një vend në Gjykatën Kushtetuese, për zëvendësimin e Sonila Bejtjes, së cilës i ka mbaruar mandati por vijon të qëndrojë në detyrë deri sa të vijë pasardhësi.






