Është kjo arsyeja që si PD edhe LSI kanë shpallur armiqësinë me këtë reformë dhe nuk lënë slogan e argument, sharje e kërcënim se reforma është e dështuar, se ajo ka vdekur, se ata “tutorët” që nuk folën kur opozita bërtiste dhe ngjirej, le të mbajnë përgjegjësi të këtushmit dhe të huajt.
Bardhyl Bejko
Kryetari i PD-së, Lulzim Basha pas braktisjes së sallës së parlamentit bashkë me deputetët, ku priste për votim një nga ligjet që i hap rrugë emërimeve të reja të gjyqtarëve dhe plotësimit të kuotave të magjistratëve i kërkoi qeverisë dhe mazhorancës si këmbim për të dhënë votën pro ligjeve që kërkojnë 84 vota as më shumë e as më pak, po tërë qeverinë. “Më jepni qeverinë, t`u jap konsensusin”, deklaroi zëplotë Basha. Qeverinë të gjithën, pushtetin pa zgjedhje, pa vota, pa beteja elektorale. Më jepni superdhuratën t’u jap cikërrima, ca vota për drejtësinë, është leximi i deklaratës dhe qëndrimi i kreut të PD-së. Kërkesë kjo në këmbim të dhënies së konsensusit.
Pas largimit si fshehurazi nga salla e kuvendit me frikën për rrjedhje votash, sikundër ka ndodhur, jo vetëm me deputetët e opozitës së sotme po edhe nga radhët e deputetëve socialistë, ku në sallën e kuvendit u trafikuan gjashtë votat socialiste që e bënë Bamir Topin Presidentin e Shqipërisë në një kohë kur ishte e pamundur të kishte një zgjedhje normale në kushtet kur e vetmja mundësi për zgjedhjen e Presidentit ishin 84 vota dhe jo si sot që pas katër raundeve mund të fitohet Presidenca edhe me 71 vota. Po jo vetëm atëherë.
Edhe në zgjedhjen e Gramoz Ruçit në detyrën e Kryetarit të Kuvendit rrodhën 3 vota nga opozita. Dhe nëse deputetët qëndronin në sallë sipas logjikës opozitare, disa deputetë do të devijonin nga vendimi partisë, duke vlerësuar vlerën e reformës, aq më tepër pas kërkesës së kancelarive të huaja dhe faktorëve që asistojnë këtë reformë. Ndaj, lideri i opozitës i tërhoqi të tijtë drejt SHQUP-it për të mos rrezikuar votimin dhe plotësimin e numrit të domosdoshëm për një ligj të tillë. Edhe pse LSI qëndroi për ca minuta, veproi në të njejtën mënyrë dhe zëri i vetëm i saj, Luan Rama, i cili garantoi se ishte në unison me partinë simotër të opozitës.
Nuk ka asnjë diferencë apo votim ndryshe pasi opozita është në bllok për të penguar reformën në drejtësi. Partitë opozitare kërkojnë t`i vendosin një bazë solide qëndrimit të tyre kundër reformës dhe votimit të ligjeve të veçanta. Ata, duke synuar bllokimin e reformës gjykojnë shkurt se kështu dëmtojnë mazhorancën dhe detyrojnë atë të ulet për të bërë jo më reformat, po të ndajnë tortën e pushtetit. Vetëm presioni është arma që sot opozita përdor për pengimin e reformës, vettingut dhe ruajtjes me çdo kusht të atyre gjyqtarëve apo prokurorëve për të cilët janë investuar tërë këto vite.
Është kjo arsyeja që si PD edhe LSI kanë shpallur armiqësinë me këtë reformë dhe nuk lënë slogan e argument, sharje e kërcënim se reforma është e dështuar, se ajo ka vdekur, se ata “tutorët” që nuk folën kur opozita bërtiste dhe ngjirej, le të mbajnë përgjegjësi të këtushmit dhe të huajt. Po si është e vërteta dhe a ka këtu hile opozitare dhe përpjekje për të bërë pazare dhe nderë për ta lëshuar llokum pushtetin?
Sigurisht këmbëngulja e opozitës për pezullimin e miratimit të ligjeve dhe kondicionimi me kushte për mazhorancën është atentati më i rëndë që sot i bëhet jo vetëm reformës në drejtësi po dhe vetë të ardhmes europiane të vendit tonë. Beteja opozitare nuk është në interes të reformës as të ecjes drejt BE-së. Përkundrazi. Ajo ka vetëm një qëllim. Pengimin me çdo çmim të saj. Është kjo arsyeja që deklarohet se: “Reforma vdiq”! “Ta shpiem në funeral”! “Nuk ka reformë me këtë qeveri”! “Le të mbajnë përgjegjësi ata që nuk folën” dhe derdhen akuzat lumë kundër ambasadorëve, Lu dhe Vlahutin.
Ndaj tyre drejtohet gishti. Ata shpallen fajtorë për ngecjen dhe zhbërjen e organeve të drejtësisë, pezullimin e gjykatave. “Vdekjen” e gjyqësorit. Po ky proces realisht është në drejtimin e duhur dhe nuk ka asnjë arsye për t’u shqetësuar. Se tek e fundit më mirë pa këta gjyqtarë se sa me ta dhe pa asnjë garanci për drejtësi të pavarur si deri sot. Në sytë e shqiptarëve parakalojnë si në ekranin e televizionit bëmat e gjyqtarëve dhe prokurorëve që kanë qenë në pallatin e drejtësisë. Sa më e lartë përgjegjësia, aq më e madhe pasuria. Në Gjykatën e Lartë. Në Apel.
Në Krimet e Rënda. Në Prokurorinë e Përgjithshme. A e patë sa ishte pasuria e ish Pakurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla? Sa miliona janë në llogarinë e tij bankare? Sa në natyrë? Në fshat e qytet? Ato të dukshmet. Se të tjerat nuk i dihet. Sa hektarë tokë arë e pyje ka në defterët e ZRPP-së? Kjo është enigmë. Dhe për këtë prokuror duhet të vëmë kujën pse e hoqën. Po jo vetëm Llalla. Ai është maja e ajsbergut me të janë të shumtit. Si ai janë jo pak. Koha do ta tregojë se kush ka bërë drejtësinë tek ne. Dhe cilët janë ata që sot kanë shqetësuar opozitën dhe e detyrojnë atë të kërkojë ribërje të drejtësisë dhe derdhin mllef për prishjen e ekuilibrave në të gjitha shkallët e gjyqësorit.
Po cila do ishte vlera e një Gjykate të Lartë e Kushtetuese me këta gjyqtarë? Këtë e di vetëm opozita jonë ajo që u qan hallin se i kanë keqtrajtuar me qëllim emërimin në vend të tyre të njerëzve të pushtetit. Hipokrizi më të pastër nuk ka. Ashtu sikundër opozita kërkon ta paraqesë largimin e gjyqtarëve si seleksionim. Dhe Berisha nuk e ka për gjë të thotë se luftohen ata gjyqtarë që vijnë nga veriu i vendit. Një përcaktim ekstrem dhe pa asnjë vlerë. Po edhe një manovër për të shfrytëzuar ndarjen krahinore. Po kushtet e Lulzim Bashës janë pafund.
Dialog me paracaktime. Kërkesa absurde. Më jep, të të jap. Më jep qeverinë. Të të lë drejtësinë. Burgosni ministrat totalisht të votojmë ligjet. E kërkesat vijojnë pa pushim. Pa vrarë mendjen se këto kërkesa nuk janë premisa për dialog as për kompromis. Ato kanë vetëm një qëllim. Pushtetin. Me forcë. Me rrugë të tërthorta. Jo me votë. Po me kushte të shkruara e lexuara nga podiumi i ngrehinës së PD-së. Kushte me detyrim përcaktim. Votimin e ligjit për magjistraturën dhe për t’u garantuar se kjo nuk ndodh pas bojkotit, opozita shpalli qëndrimin e vet me një deklaratë nga selia e PD-së, ku kryetari Basha vuri kushte të panegociueshme mazhorancës që në thelb është mosvotimi i asnjë ligji që kërkon shumicë të cilësuar ose kompromis mes palëve. Për PD, qëndrimi është afër e qartë. Asnjë votë reformës.
Bllokim me çdo kusht ngritjes së organeve të reja që do zgjedhin në të ardhmen KLGJ e SPAK si dhe Byronë e Hetimit sipas kërkesave të Kushtetutës së ndryshuar me votat e 140 deputetëve në korrikun 2016.
Pas breshërisë së pandërprerë se vetingu dhe reforma zhbën Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë, dhe anatemimit të qeverisë e tërë faktorëve që udhëhoqën këtë proces në emër të mbrojtjes me çdo çmim të statuskosë së vjetër të ruajtjes së organeve të kalbëzuara që rënkojnë nga pesha e mëkateve dhe janë bërë organe që tërë këto vite kishin në përbërje të tyre ashtu siç evidentohet gjatë këtij procesi që ka kohë që ka nisur, disa figura që nuk kanë bërë drejtësi po kanë stivosur prona e para si dhe kanë garantuar politikanët dhe politikën me mos cënim e mosprekje me asgjë në rrugën e pasurimit dhe ruajtjes së privilegjeve të siguruara në këto 30 vjet, opozita si PD edhe simotra e aj LSI kërkojnë të vënë para përgjegjësisë mazhorancën përmes presionit dhe kërcënimeve se pa marrë atë që dëshirojnë nuk mund të votojnë asnjë ligj.
Dhe Shqipëria sipas tyre do vuajë kolapsin e mungesës së organeve të drejtësisë dhe gjykatat do zhvishen nga gjyqtarët, të cilët do t’i hajë të gjithë reforma. “Që t’u japim votën kërkojmë në shkëmbim tërë pushtetin”, thotë pa asnjë mëdyshje Luzim Basha. Dhe nis të numërojë shtatë kushte që kulmojnë me gjysmën e qeverisë në burg. Ai kërkon arrestimin e menjëhershëm të Saimir Tahirit, Fatmir Xhafajt, Arben Ahmetajt dhe Damian Gjiknurit. Kuptohet që lista e arrestimeve do pasohet me emra të tjerë, duke dërguar në burg tërë qeverinë e partinë që ka votuar këtë qeveri. Se oreksi nuk mbetet këtu. Ha një kokë qeveritari dhe në radhë vjen i dyti.
Dëshirat janë të papërmbajtshme dhe interesi opozitar është të zhduket nga faqja e dheut PS dhe tërë ata që e mbështesin këtë forcë politike. Të arrestohet qeveria! Të futen në burg tërë ministrat! Të kthehemi te korriku i vitit 2016. Të shkarkohet Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme Arta Marku. Të përmbyset gjithçka është bërë në këto dy vjet. Të ikin të gjithë. Dhe të vijnë ata burrat e gratë e PD dhe LSI-së. Dhe për ti vënë një bazë ideologjike kërkesës opozitare, duke shmangur çdo kompromis dhe zbatim, edhe të këshillave të miqve nga Gjermania e BE, Luan Rama i referohet një deklarate të ish kryeministrit Fatos Nano për “Të lëshuar pushtet për të bërë shtet” që ai e përktheu se qeveria sot nuk lëshon po grumbullon tërë pushtetet.
Se ku është ky grumbullim vetëm Luan Rama i LSI-së e dinë. Deklarata e Nanos është bërë në rrethana të tjera dhe nuk ka lidhje me kërkesat e opozitës. Se kjo kërkesë është e pamundur të materializohet dhe nëse do bëhej atëherë do gjendeshim përballë kapitullimit të mazhorancës së zgjidhur demokratikisht. Nuk ka asnjë shtet në globin tokësor, ku opozita të kërkojë pushtet me marrëveshje për hir të reformave. Ku është dëgjuar që të përcaktohet axhenda e marrëveshjes dhe të vendosen kushte të pamundura të pranohen!? Si gjithnjë ekstreme opozita jonë.
Synime maksimale. Të parealizueshme. Të pamundura as për mendjet më fantaziste. Shkurt, veç arrestimeve dhe dënimeve në shkallë të gjerë një lloj gjendje e jashtëzakonshme për tërë mazhorancën dhe dënimi i tyre shembullor për të zhbërë tërë atë që është bërë deri sot. Dhe reforma e qeverisja ti dorëzohen opozitës në tavolinë. Se nuk ka kuptim tjetër veç dorëzim pa asnjë kusht ditën për diell pa çak pa bam, pa votime e pa zgjedhje, pa beteja elektorale, ashtu butë-butë t’i dhurohet PD dhe LSI pushteti. Merreni ja ku e keni.- Merrni Gjeneral!
Ua solla! Ja këtu në këtë thes të zi, në këtë tepsi ashtu siç deklaronte Plaka Nicë në romanin e pavdekshëm të Ismail Kadaresë “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur”. Këtë gjeneral sot do ta mbajë gjallë kreu i opozitës shqiptare, që në emër të marrëveshjes kërkon të vërë kushte e të përfitojë pushtet pa votë. Vetëm na jepni ato që iu kërkojmë dhe nuk është se e teprojmë, vetëm pushtetin duam, thotë opozita përmes përfaqësuesve të saj. Ultimatumet dhe deklaratat e Bashës vetëm e largojnë opozitën nga pushteti. Dhe nuk shërbejnë për të reformuar drejtësinë. Reforma që as i kanë dashur kurrë dhe luten të mos bëhen asnjëherë. Për ata kanë vlerë vetëm kushtet për të imponuar dhe fituar në tavolinë atë, që me zgjedhje nuk e arrijnë.