Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin e koduar “Just in time”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit.
Policia ka vënë në pranga 3 shtetas, të cilët mbanin peng 30 persona dhe kërcënonin familjet e tyre.
Njoftimi:
Tiranë – Finalizohet operacioni policor i koduar “Just in time”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit.
Operacioni nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, Sektorin e Forcës Operacionale dhe me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë.
Vihen në pranga 3 shtetas që mbanin në banesë emigrantët e paligjshëm.
Procedohen penalisht edhe 14 emigrantët, për kalim të paligjshëm të kufirit.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, dhe me Sektorin e Forcës Operacionale, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative, se në një banesë të përshtatur si hotel, në zonën e Laprakës, po mbaheshin të mbyllur rreth 30 persona, emigrantë të huaj, organizuan dhe finalizuan operacionin “Just in time”, për goditjen e kësaj veprimtarie kriminale.
Në kuadër të këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:
– M. K., 40 vjeç, banues në Tiranë, M. E., 26 vjeç, banues në Tarablos, Libi, dhe Z. D., 27 vjeç, banues në Casablanca, Marok, për veprat penale: “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë” dhe “Heqja e paligjshme e lirisë”.
Në banesën e shtetasit M. K., në katin e parë, të tretë dhe te katërt, shërbimet e Policisë kanë gjetur rreth 30 persona të shtetësive të ndryshme, kryesisht nga Lindja e Mesme, të cilët mbaheshin në këto dhoma, pa u lejuar të dilnin, duke ju marrë mjetet e komunikimit dhe duke i kërcënuar familjarët në vendet e origjinës, për kryerjen e pagesës së transportit të këtyre shtetasve, drejt vendit tonë.
Në vijim të veprimeve u proceduan penalisht dhe 14 shtetasit e huaj, për veprën penale “Kalim i paligjshëm i kufirit shtetëror”
Po punohet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale dhe identifikimin e personave të tjerë të implikuar në të.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.