Çmimet e naftës kanë shënuar një tjetër rekord mëngjesin e të mërkurës, duke arritur në nivele të papara ndonjëherë prej gati 250 lekë për litër. Në pikat e tregtimit të Kastrati, operatori më i madh i tregtimit me shumicë e pakicë në vend, një litër naftë shitej me 149 lekë, nga 130 lekë ditën e ndjeshme.
Në disa pika të tjera tregtimi të operatorëve të tjerë, nafta tregtohet edhe me 260 lekë për litër, si psh Gega Oil, apo Start e Alpet. Brenda një javë, që nga e enjtja e javës së kaluar, çmimi i naftës është rritur me 4 herë. Vetëm të mërkurën e një jave më parë nafta tregtohej me 192 lekë, pra është rritur me 57 lekë, ose 30%.
Në krahasim me mesataren prej 170 lekë për litër që ishte gjatë vitit 2021, nafta në vend është shtrenjtuar me gati 50%. Aktorët e tregut pohojnë se është krijuar një situatë e jashtëzakonshme për shkak të krizës Ukrainë-Rusi dhe tashmë në diskutim nuk është më çmimi, por sigurimi i produktit.
Krahas shtrenjtimit të naftës në bursa, që arriti të mërkurën mbi 130 dollarë për fuçi, nga 90 dollare ne dhjetor, nafta është ndikuar dhe nga zhvlerësimi i dollarit në vend, që është monedha më të cilin blihet ky produkt. Dollari arriti në 117 lekë të martën, sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, nga rreth 106 lekë që ishte në fillim të janarit.
Me çmimet e karburanteve që kanë kapur majat, shqiptarët pritet të paguajnë shumë më teper për të udhëtuar, si përmes mbushjes së makinave të tyre, ashtu dhe indirekt në kostot e transportit e produkteve të tjera të lidhura me arin e zi, minimalisht 300 milione euro me shume. https://www.monitor.al/shqiptaret-do-paguajne-300-mln-euro-me-shume-kete-vit-per-naften-si-ndahet-tregu/
Në bursa nafta kërcen mbi 130 dollarë
Çmimet e naftës së papërpunuar u rritën sërish të mërkurën, ndërsa investitorët vlerësuan ndikimin e përkeqësimit të konfliktit në Ukrainë dhe një ndalim të ri të SHBA-së për naftën ruse.
Çmimi i një fuçie nafte, i cili kishte filluar rritjen që në janar si rrjedhojë e pritshmërive për një rimëkëmbje ekonomike globale dhe ofertës së kufizuar, është rritur ndjeshëm që kur Rusia nisi pushtimin e saj të Ukrainës më 24 shkurt.
Standardi global Brent u tregtua me 131,39 dollarë për fuçi, me një rritje ditore prej 2,66%, por ende poshtë pikut prej 139,13 dollarësh, që preku të hënën.
Rritja e menjëhershme e çmimit, Autoriteti i Konkurrencës nis hetimin në tregun e hidrokarbureve
Autoriteti i Konkurrencës ka hapur një hetim paraprak në tregun e tregtimit me shumicë të karburanteve. Sipas këtij institucioni, shkak është bërë rritja e çmimeve të nënprodukteve të naftës duke filluar nga muaji shkurt. Tregu i shitjes me shumicë përfshin ndërmarrjet importuese të karburantit të llojit naftë dhe benzinë, si dhe ato që e blejnë me shumicë në tregun e brendshëm.
Ky institucion shprehet se rritja e çmimit të naftës dhe të benzinës është reflektuar në të gjithë tregun e shitjes me pakicë dhe për pasojë duke rezultuar në çmime përgjithësisht më të larta për konsumatorin fundor. AK ka nisur një monitorim të tregut gjatë muajit shkurt, për të vlerësuar tendencat e çmimeve të karburanteve diesel dhe benzinë, pranë ndërmarrjeve të cilat operojnë në tregun e tregtimit me pakicë të karburanteve.
Nga deklaratat e marra gjatë monitorimit, u konstatua se në muajt e fundit ka patur një rritje
periodike të vazhdueshme të çmimit të karburantit. Në periudhën e monitorimit, çmimet arrinin deri në 194 lekë për litër dhe vendimi i AK është marrë në fund të muajit shkurt; por gjatë muajit mars çmimet kanë nisur një tjetër rritje galopante dhe kanë prekur çmime rekord të të gjitha kohërave. Në mesin e kësaj jave, çmimi i karburantit diesel dhe benzinë ka arritur deri pranë kufijve të 300 lekëve për litër.
Tregtarët e mëdhenj e argumentojnë këtë shtrenjtim me rritjen e fortë të çmimit të karburanteve në tregjet botërore. Lënda e parë, nafta bruto, tregtohet aktualisht me pothuajse 130 dollarë amerikanë për fuçi. Lufta në Ukrainë dhe sanksionet ndaj Rusisë i kanë dhënë një goditje të mëtejshme çmimeve që kishin nisur prej muajsh një rritje të ndjeshme, për shkak të kërkesës më të lartë dhe vendimit të prodhuesve të mëdhenj për të mos shtuar sasitë e hedhura në treg.
“Çmimet nga pikat e shumicës dalin çdo ditë me bursën korrente dhe marrin rritje graduale, të koordinuar me rezervat që ka gjendje në pikat e karburantit me furnizimin e ri, por fatkeqësisht rritja e çmimeve në bursë javën e fundit ka qenë galopante. Sqarojmë se rezervat tremujore që mbahen sipas ligjit janë gjithnjë në depo fizikisht, por çmimi kurrë nuk mund të mbyllet ose fiksohet vetëm në ditën që hidhet në treg për konsum,” thuhet në deklaratën e Shoqatës së Hidrokarbureve.
Deklaratat e mësipërme shtron argumentin se çmimi i shitjes me shumicë rritet duke ndjekur bursën, me qëllimin për të reflektuar atë që pritet të jetë kostoja e vlerësuar e blerjes së furnizimeve të reja dhe e mbajtjes së pandryshuar të rezervës tremujore. Nëse mbështetemi te ky interpretim, atëherë sasitë e importuara më parë po shiten me një marzh shumë më të madh, duke reflektuar konjukturën aktuale, që është krijuar sidomos pas shpërthimit të luftës në Ukrainë.
Autoriteti i Konkurrencës kishte mbyllur një hetim të thelluar në tregun e karburanteve vetëm në dhjetor të vitit të kaluar. Hetimi në tregun e ngarkim-shkarkimit, importit, depozitimit, shitjes me shumicë të karburanteve përfshiu periudhën kohore nga 1 Janari 2017 deri në 30 Tetor 2020 dhe nuk evidentoi shkelje të ligjit “Për mbrojtjen e Konkurrencës”. Sipas Autoritetit të Konkurrencës, në tregun e importit të karburanteve operojnë një numër i konsiderueshëm dhe treguesi i përqendrimit të tregut (indeksi HHI) ka ardhur në rënie gjatë periudhës hetimore.
Megjithatë, në kushtet e reja që janë krijuar në fillim të këtij viti, AK ka gjetur indicie të reja që krijojnë dyshime për marrëveshje të ndaluara, në shkelje të ligjit “Për mbrojtjen e Konkurrencës”./Monitor.al