Serie A e futbollit është në raundin e 25-të. Kjo e shtunë nisi me barazimin 0-0 mes Atalantës dhe Cagliarit. Lazio barazoi 2-2 kundër Napolit duke bërë që kreu i renditjes të rihapet. Në mbrëmje Milani fitoi 1-0 kundër Veronës me golin e Gimenez.
Në “Olimpico” Lazio barazoi 2-2 me Napolin kryesues dhe rihap garën për kreun në Serie A. Ishte Isaksen që zhbllokoi shifrat për vendasit në minutën e gjashtë për Lazion, para se Raspadori të vendoste ekuilibrat në minutën e 13-të. Në fraksionin e dytë Napoli gjeti epërsinë me autogolin e Marusic, ndërsa Dia tre minuta nga fundi bëri që dy skuadrat të ndajnë nga një pikë. Me 56 pikë Napoli qëndron sërish në krye, por Interi ndjekës me 54 pikë ka një ndeshje më pak, atë kundër Juventusit të diel në orën 20:45. Nëse dalin me tri pikë nesër nga Torino, zikaltërit do gjendeshin në krye të Serie A.
Në “San Siro” Milani fitoi 1-0 kundër Veronës dhe gjen suksesin e tretë në pesë ndeshjet e fundit. Duket se merkato e dimrit ka qenë efikase për kuqezinjtë pasi dueli u vendos nga goli i Gimenez (i dyti me fanellën kuqezi). Duhej minuta e 75-të që një aksion model i vendasve të bënte që Leao të pasonte për meksikanin, i cili me portën bosh nuk e pati të vështirë të çonte sferën në rrjetë dhe t’i jepte fitoren të tijve.
Në Bergamo vendasit e Atalantës barazuan 0-0 kundër Cagliarit. Skuadra zikaltër duket me mendjen në Champions League, aty ku mesjavën që vjen luan ndeshjen e kthimit në shtëpi kundër Club Brugge (ekipi belg ka fituar 2-1). Sfida nuk prodhoi asnjë gol paçka rasteve. Në stol për Atalantën qëndroi Gjimshiti, ndërsa nuk u preferua as Sherri te miqtë. Bergamaskët vijojnë të qëndrojnë në vendin e tretë, ndërsa sardët ngjiten në pozitën e 13-të.
Serie A, raundi 25-të:
E shtunë, 15 shkurt 2025
15:00 Atalanta 0-0 Cagliari
18:00 Lazio 2-2 Napoli
20:45 Milan 1-0 Verona