Princi Frederik i Luksemburgut ndërroi jetë në moshën 22 vjeçare në Paris pas një beteje të gjatë me sëmundjen e rrallë gjenetike POLG. Familja mbretërore e konfirmoi lajmin përmes faqes zyrtare të Fondacionit POLG, të cilin Frederik e themeloi në vitin 2022 për të mbështetur kërkimet mbi këtë çrregullim mitokondrial.
“Me zemër të thyer, gruaja ime dhe unë njoftojmë ndarjen nga jeta të djalit tonë të dashur, themeluesit dhe drejtorit kreativ të Fondacionit POLG,” shkroi Princi Robert i Luksemburgut.
POLG është një sëmundje e rëndë që dëmton prodhimin e energjisë në qeliza, duke shkaktuar probleme të shumta shëndetësore dhe përfundimisht shkatërrim të organeve. Aktualisht nuk ka një trajtim të njohur për këtë çrregullim.
I diagnostikuar në moshën 14-vjeçare, Frederik përballoi sëmundjen me guxim dhe vendosmëri. Ai vazhdoi të jetonte me pasion, duke ndjekur mësime italishtje dhe duke ushtruar çdo ditë, pavarësisht vështirësive.